Ndërlidhjet

Trump i rikthehet fushatës pas përpjekjes së dytë për vrasjen e tij


Trump duke folur para mbështetësve në Flint, më 17 shtator 2024.
Trump duke folur para mbështetësve në Flint, më 17 shtator 2024.

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është kthyer aktiviteteve të fushatës zgjedhore për herë të parë që prej një përpjekjeje të dytë për vrasjen e tij.

Trump është lavdëruar më 17 shtator se “vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, teksa ka përshëndetur kundërshtaren e tij, kandidaten demokrate Kamala Harris, për kujdesin e treguar përmes një telefonate, raporton AFP.

Ish-presidenti amerikan ka folur në një tubim para mbështetësve të zjarrtë në Flint, një qytet industrial që dikur ishte qendër e industrisë automobilistike amerikane në qytetin e luhatshëm të Miçiganit, para se fabrikat të mbylleshin për shkak të konkurrencës së jashtme.

Trump është munduar të lidhë atë që Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI) e ka cilësuar si përpjekje të penguar për vrasjen e tij të dielën, në fushën e tij të golfit në Florida, me zotimin e tij për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika dhe nga Kina.

“Dhe pastaj habiteni pse sulmohem me armë... E dini që vetëm presidentëve të rëndësishëm iu bëhet atentat”, u shpreh ai.

Kandidati republikan ka thënë se njeriu që dyshohet se u përpoq ta vriste atë ishte ndjekës i asaj që ai e ka quajtur retorikë e presidentit Joe Biden dhe e Harrisit që ngulmon se Trump përbën rrezik për demokracinë amerikane.

Rivalja zgjedhore e Trumpit, nënpresidentja aktuale amerikane, Harris, e cila bëri fushatë në një shtet tjetër të luhatshëm, Pensilvani, tha të martën se ka kontaktuar ish-presidentin pas sulmit të parandaluar.

“Bisedova me të për të parë se si është. Dhe, i thashë atij atë që e kam thënë publikisht – nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë”, u shpreh Harris në një intervistë për Asociacionin Kombëtar të Gazetarëve me Ngjyrë.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar bisedën Harris-Trump si “të përzemërt dhe të shkurtër”. Trump ka thënë se Harris “ishte aq e mirë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG