Ndërlidhjet

Trump do të vendosë 25% tarifë ndaj shteteve që blejnë naftë dhe gaz prej Venezuelës


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se çdo shtet që blen gaz apo naftë prej Venezuelës, do të paguajë tarifë prej 25 për qind në tregtinë që bën me Shtetet e Bashkuara.

“Tarifat sekondare” do të hyjnë në fuqi më 2 prill, ka thënë Trump përmes një postimi në platformën e tij Truth Social.

Trump ka thënë se e ka marrë këtë vendim, sepse Venezuela ka dërguar “dhjetëra mijëra” njerëz në SHBA, të cilët kanë “natyra shumë të dhunshme”.

Ky njoftim e rriti çmimin e naftës së papërpunuar për gati 1.5 për qind.

Më herët gjatë këtij muaji, Trump e ka pezulluar për 30 ditë licencën që i ka dhënë SHBA-ja kompanisë së naftës, Chevron, e cila prej vitit 2022 ka operuar në Venezuelën e sanksionuar.

Presidenti e ka marrë këtë vendim pasi e ka akuzuar presidentin Nicolas Maduro se nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm për reformat zgjedhore dhe kthimin e migrantëve.

Trump ka thënë më herët gjatë muajit se e ka fuqizuar Aktin 1798 për Armiqtë e Huaj për të arsyetuar dëbimin e anëtarëve të dyshuar të bandës venezuelase Tren de Aragua, pa pasur urdhra përfundimtarë të gjyqtarëve për imigrim.

Kina, e cila veçse është e prekur nga tarifat amerikane, është blerësja më e madhe e naftës së Venezuelës.

Në shkurt, Kina ka pranuar direkt ose indirekt 503.000 fuçi nafte në ditë prej Venezuelës.

Spanja, Italia, Kuba dhe India janë konsumatorët tjerë të naftës venezuelase.

Qeveria e Maduros nuk e ka komentuar këtë vendim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG