Ndërlidhjet

Trump dënon dhunën, premton tranzicion të qetë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i përballur me kërcënimin e gjykimit të dytë dhe me thirrjet për largimin e menjëhershëm nga zyra, foli me një ton pajtues të enjten mbrëma, duke dënuar dhunën që ka ndodhur më 6 janar në Kongres dhe duke u zotuar se do të sigurojë një tranzicion të qetë tek administrata e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Pas më shumë se dy muajsh refuzimi për të pranuar fitoren e Bidenit dhe duke u zotuar se kurrë nuk do të pranojë humbjen, Trump tha se tani që Kongresi i ka certifikuar rezultatet e Kolegjit Zgjedhor, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe se “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe të rregullt të pushtetit”.

Në video-mesazhin e incizuar, Trump tha se është koha “për të vazhduar me punët e Amerikës” dhe se momenti “bën thirrje për shërim dhe pajtim”.

Trump adresoi gjithashtu dhunën që ndodhi në Kongres, duke e cilësuar atë si një “sulm të neveritshëm” që ndoti selinë e demokracisë amerikane dhe e “zemëroi” atë.

Bota e shokuar nga dhuna në Uashington
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Deklarata është një zmbrapsje e madhe për Trumpin, i cili ka shkaktuar përçarje të hidhura dhe ka hedhur mosbesim mbi procesin zgjedhor, duke pretenduar - pa pasur dëshmi - se ka pasur mashtrime

Dhuna e mbështetësve të Trumpit në Kongres ka marrë pesë jetë njerëzish, përfshirë një polic, dhe ka shkaktuar shkatërrime dhe vandalizma brenda ndërtesës.

Trump nuk e pranoi rolin e tij në kaos, edhe pse shumë ligjvënës, përfshirë disa nga Partia e tij Republikane, e akuzuan për nxitje të dhunës.

Në video, ai u tha mbështetësve se e di se ata janë “të zhgënjyer” dhe la të kuptohet se synon të vazhdojë në politikë.

“Shërbimi si president i juaji ka qenë nder i jetës sime”, tha Trump.

“Për të gjithë mbështetësit e mi të mrekullueshëm: unë e di që ju jeni të zhgënjyer, por dua që ta dini se udhëtimi ynë i jashtëzakonshëm sapo ka filluar”, shtoi ai.

Trump e lëshoi këtë mesazh pasi thirrjet e demokratëve për largimin e tij nga zyra u bënë më të zëshme, si dhe pas dorëheqjes së disa anëtarëve të administratës së tij.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kërkoi shkarkim të menjëhershëm ose gjykim të Trumpit.

“Nëse nënkryetari dhe kabineti nuk veprojnë, Kongresi mund të përgatitet për gjykim”, tha Pelosi në një konferencë për media.

Trump është gjykuar në vitin 2019, por Senati e ka pastruar nga akuzat.

Ligjvënës të tjerë demokratë i kërkuan kabinetit që të zbatojë amendamentin e 25-të të Kushtetutës amerikane për shkarkimin e Trumpit nga detyra. Por, kjo kërkon që nënkryetari dhe shumica e kabinetit ta deklarojnë atë të papërshtatshëm për kryerjen e detyrave.

Me vetëm edhe 12 ditë deri në përfundimin e presidencës Trump, republikanët në Kongres kanë treguar pak interesim për të bërë presion mbi kabinetin, për të vepruar në atë drejtim.

Megjithatë, dy anëtare të kabinetit shprehën zemërimin e tyre duke dhënë dorëheqje.

Sekretarja e Transportit, Elaine Chao, tha në letrën e saj të dorëheqjes se sulmi ndaj Kongresit e “ka shqetësuar thellë, në një mënyrë që thjesht nuk mund ta lërë mënjanë”.

Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos, dha po ashtu dorëheqje dhe fajësoi presidentin për nxitjen e tensioneve përpara sulmit në Kongres.

Dorëheqje dhanë edhe disa këshilltarë të nivelit më të ulët.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG