Ndërlidhjet

Trendafilovës i vazhdohet mandati si kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës


Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës
Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Ekaterina Trendafilova është riemëruar kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për një mandat të ri katërvjeçar, njoftoi të premten gjykata.

Mandati i tanishëm i Trendafilovës do të mbaronte më 15 dhjetor. Kjo është hera e dytë që asaj i vazhdohet mandati prej se u emërua në krye të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 2016, një vit pas themelimit të tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Trendafilova theksoi se e “vlerëson besimin e vazhdueshme” ndaj saj dhe se është e "bindur se Dhomave të Specializuara të Kosovës do të vazhdojnë t’i kryejnë proceset në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe efektive, siç kërkohet nga korniza ligjore e gjykatës”.

Javën e kaluar, Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Ata akuzohen për ndikim mbi dëshmitarët në një rast tjetër ku ish-presidenti Thaçi – së bashku me ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – janë duke u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Katër vjet nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së: Çfarë ndodhi deri më sot?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG