Ndërlidhjet

Dënohet edhe një anëtar i Proud Boys për sulmin në Kapitol


Mbështetësit e Donald Trumpit duke sulmuar ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021.
Mbështetësit e Donald Trumpit duke sulmuar ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021.

Një gjykatës federal amerikan më 1 shtator shqiptoi dënim ndaj një anëtari të grupit të ekstremit të djathtë, Proud Boys, për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Dominic Pezzola, që nuk kishte rol udhëheqës në grupin ekstremist, është i pandehuri i vetëm – nga pesë gjithsej – që është liruar nga akuza për komplot për kryengritje. Megjithatë, ai është gjetur fajtor për katër akuza të tjera, përfshirë pengimin e një procesi gjyqësor dhe sulm ndaj policisë. Ndaj tij është shqiptuar burgim prej dhjetë vjetësh.

“Ju personalisht keni luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet e asaj dite”, tha gjykatësi Timothy Kelly.

“Është turp kombëtar ajo që ndodhi”, tha ai.

Kelly tha se Pezzola ishte anëtar i ri i grupit dhe nuk kishte qenë i përfshirë në komplotin për kryengritje.

Më vonë gjatë të premtes do të shqiptohet dënimii edhe ndaj Ethan Nordean, liderit të grupit që është shpallur fajtor për komplot për kryengritje dhe krime të tjera.

Një ditë më parë dy ish-udhëheqës të grupit ekstremist të krahut të djathtë, Proud Boys, u dënuan me mbi dhjetë vjet burg, për organizimin e sulmit në Kapitol të Shteteve të Bashkuara në përpjekje për të parandaluar transferimin paqësor të pushtetit nga Donald Trump te Joe Biden, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Organizatori i protestës, Joseph Biggs, u dënua me 17 vjet burgim më 1 shtator, ndërkaq lideri Zachary Rehl u dënua me 15 vjet burgim. Këto janë dënimet më të ashpra deri më tani që janë dhënë për sulmin e 6 janarit të vitit 2021.

Këta janë dy pjesëtarët e parë të Proud Boys të cilëve gjykatësi amerikan Timothy Kelly, u shqiptoi dënim me burg. Edhe tre pjesëtarë të tjerë të këtij grupi i dënuan nga një juri në maj, pasi për katër muaj u mbajt një gjyq në Uashington pasi ky grup ekstremist kishte mbështetur gënjeshtrat e Trumpit, i cili ka insistuar se zgjedhjet e vitit 2020 i kishte fituar ai.

Të martën është caktuar seanca për shqiptimin e dënimit të ish-liderit kryesor të Proud Boys, Enrique Tarrio. Ai nuk ishte në Uashington më 6 janar. Tarrio u arrestua dy ditë pas trazirave në Kapitol nën akuza se kishte dëmtuar një pankartë të lëvizjes Black Lives Matters, gjatë një tubimi të mëhershëm në Uashington.

Mijëra mbështetës të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kapitolit pasi ai mbajti një fjalim në Uashington. Gjatë fjalimit ai pretendoi se humbja e zgjedhjeve presidenciale ishte si rezultat i një mashtrimi të madh. Trump ka vazhduar të bëjë këto pretendime të rreme përderisa është kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Pesë persona, përfshirë një zyrtar policor, vdiqën gjatë trazirave dhe mbi 140 policë u plagosën. Në ndërtesën e Kongresit amerikan janë shkaktuar miliona dollarë dëme si pasojë e trazirave.

Mbi 1.100 persona janë arrestuar nën akuza që lidhen me sulmin në Kapitol. Nga ky numër, mbi 630 janë deklaruar fajtor dhe të paktën 110 janë dënuar pas mbajtjes së gjykimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG