Reuters
Parlamenti në Rusi kaloi fazën e fundit të një ligji për tërheqjen e ratifikimit të Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore (CTBT). Ligji tani pret nënshkrimin e presidentit Vladimir Putin.
Çka është CTBT-ja?
CTBT-ja, e arritur në vitin 1996, ndalon “çdo testim të shpërthimit të armëve bërthamore ose çdo shpërthim tjetër bërthamor” kudo në botë, me qëllim të reduktimit dhe eliminimit të armëve bërthamore.
Preambula e saj thotë se synon të mbështesë çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore, duke kufizuar zhvillimin e armëve bërthamore dhe duke i ndaluar vendet që të prodhojnë armë më të avancuara.
Cilat vende e kanë nënshkruar dhe ratifikuar?
Gjithsej 187 shtete e kanë nënshkruar traktatin dhe 178 e kanë ratifikuar atë në parlamentet e tyre.
Nga nëntë vendet që posedojnë armë bërthamore:
- Britania dhe Franca e kanë nënshkruar dhe ratifikuar.
- Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Kina e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar.
- Rusia e ka nënshkruar dhe e ka ratifikuar, por tani do që ta tërheqë ratifikimin, duke thënë se një gjë e tillë “pasqyron” edhe qëndrimin e SHBA-së.
- India, Pakistani dhe Koreja e Veriut nuk e kanë nënshkruar e as ratifikuar.
Cili është statusi ligjor i Traktatit?
Traktati nuk është ligjërisht i vlefshëm derisa 44 vende të emëruara ta nënshkruajnë dhe ta ratifikojnë atë - të nëntë vendet që kanë armë bërthamore dhe 35 të tjera që posedojnë energji bërthamore dhe reaktorë kërkimorë.
A ka ndonjë efekt praktik?
Po, në praktikë, Traktati ka krijuar një tabu kundër testeve bërthamore shpërthyese.
Asnjë vend nuk ka kryer një test të tillë që nga vitet 1990, përveç Koresë së Veriut, e cila ka kryer gjashtë në vitin 2017.
Traktati ka krijuar një rrjet global të posteve të vëzhgimit që mund t’i zbulojnë tingujt, valët goditëse ose rrjedhjet radioaktive nga një shpërthim bërthamor.
Kur të përfundojë i tëri, ai do të përbëhet nga 321 stacione monitorimi dhe 16 laboratorë, që do të gjenden në 89 vende. Rreth 90% janë tashmë funksionale, duke përfshirë ata në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara.
Çfarë do të thotë ndryshimi i pozicionit rus?
Rusia thotë se nuk po planifikon të kryejë ndonjë test dhe se nuk do ta bëjë atë nëse SHBA-ja nuk e bën. Por, disa analistë thonë se një test i Rusisë është më i mundshëm tani.
Putin ka bërë kërcënime bërthamore - siç i vlerëson Perëndimi - prej se ka nisur luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Ai mund t’i mbajë testet si rezervë për ta paralajmëruar Perëndimin që të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. Publikisht, ai nuk ka thënë nëse mendon se nevojitet një test i tillë ose jo.
Çka arrin një test bërthamor?
Jo shumë në aspektin shkencor, thonë ekspertët, sepse shpërthimet në shkallë të plotë mund të simulohen me saktësi, duke përdorur teste “nënkritike”, pa ndonjë reaksion zinxhiror bërthamor.
Si Rusia, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë programe të avancuara kërkimore, për të kuptuar performancën dhe sjelljet e armëve, thotë Dylan Spaulding, nga Unioni i Shkencëtarëve të Shqetësuar. Sipas tij, ky lloj kërkimi “nuk kërkon testim në shkallë të plotë, kërkon modelim kompjuterik”.
Megjithatë, ekspertët thonë se testi do të dërgonte një sinjal të fuqishëm politik.
Andrey Baklitskiy, studiues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Kërkime të Çarmatimit, thotë se çdo shtet me armë bërthamore, do të bënte test vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.
“Ndoshta kokat tona bërthamore janë pak më të mira - nuk është argument shumë i mirë për ta bërë këtë”, thotë ai.
A duhet shqetësuar për rifillimin e testeve bërthamore?
Analistët e sigurisë thonë se një test bërthamor, me siguri, do t’i nxiste edhe vendet e tjera për ta ndjekur shembullin, duke shkatërruar kështu CTBT-në dhe duke nisur një garë të re armatimi.
Aktivistët anti-bërthamorë thonë se testi mund të shkaktojë edhe dëme mjedisore, edhe pse ai - ndryshe nga dekadat e para të Luftës së Ftohtë - do të kryhej thellë nën tokë.
Megjithatë, do të sinjalizonte një paqëndrueshmëri më të gjerë.
“Nëse jemi në një botë ku zhvillohen testime, ajo tregon se rreziqet bërthamore janë rritur”, thotë James Acton, bashkëdrejtor i programit të politikës bërthamore në Institutin Carnegie Endowment për Paqe Ndërkombëtare.
“Unë mendoj se testimi është një simptomë e tensioneve në rritje dhe gjithashtu do t’i përkeqësonte ato tensione”, përfundon Acton.