Ndërlidhjet

Kryediplomati i Togos: Kemi tërhequr njohjen e Kosovës


Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë një konference për media në Beograd më 16 janar 2023.
Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë një konference për media në Beograd më 16 janar 2023.

Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, konfirmoi në në Beograd “mbështetjen e parezervë” për integritetin territorial të Serbisë, raportoi agjencia Beta.

“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha ai gjatë takimit në Beograd më 16 janar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Togo njohu pavarësinë e Kosovës më 2 korrik 2014 dhe atëbotë kishte qenë pikërisht kryediplomati Dussey që me ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, kishin nënshkruar marrëveshjen për themelimin e raporteve diplomatike mes dy shteteve.

Daçiq ndërkaq tha se tërheqja e njohjeve të Kosovës hap mundësinë për dialog dhe negociata, sepse ata që e duan një Kosovë të pavarur “duan ta bëjnë përmes rrugëve të shkurtra apo forcës, apo duke mbivotuar në disa forume ndërkombëtare”.

Qeveria e Serbisë njoftoi se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka falënderuar Dusseyn për “pozicionin parimor” të Togos, kur bëhet fjalë, siç ka thënë zyra e saj, për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.

Më 4 janar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vupçiq, deklaroi se Serbia po pret shtetin e dhjetë, që sipas tij, do të tërheqë njohjen e Kosovës, por pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.

Vuçiq pretendoi se nëntë shtete veçse kanë tërhequr njohjen e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.

Por, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës hodhi poshtë pretendimet e Vuçiqit, duke thënë se të njëjtat “nuk janë vërtetuar as pas bisedave me përfaqësuesit në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm” të Kosovës.

Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sipas MPJD-së, Kosovën që nga shpallja e pavarësisë më 2008, e kanë njohur 117 shtete.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG