Nënshkrimi i një marrëveshjeje mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës dhe një kompanie private, për të pajisur me një tiketë ngjitëse automjetet të cilat regjistrohen, po has në kundërshtime.
Megjithatë, Byroja Kosovare e Sigurimeve këtë po e vlerëson të domosdoshme.
Kjo tiketë merret me rastin e kontrollit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij. Siç është raportuar, çmimi i kësaj tikete në Kosovë pritet të jetë rreth 5 euro. Parashihet që kjo tiketë të vendoset në një vend të dukshëm të veturës.
Marrëveshja mes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me kompaninë private në fjalë, është nënshkruar me 8 qershor 2021.
Kjo ministri nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë për detajet e marrëveshjes.
Kompania, e cila pritet të lëshojë këto tiketa për automjete, në publik thuhet se është Auto Control Kosova SHPK. Kjo kompani figuron si e regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve në vitin 2018 dhe numëron tre punëtorë.
Përmes rrjeteve sociale, qytetarë, deputetë e parti opozitare, kanë kundërshtuar këtë marrëveshje duke thënë se po ngarkohen me tarifa të panevojshme.
Për shkak të kundërshitmit ndaj kësaj pagese shtesë për qytetarët e Kosovës, të premten në Prishtinë janë arrestuar tetë aktivstë të Partisë Socialdemokrate.
Deri në 30 për qind automjete të paregjistruara
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi në një postim në rrjetin social Facebook, duke e arsyetuar marrëveshjen për tiketa, ka thënë se këto tiketa do të ndikojnë në evidentimin më të lehtë të automjeteve në komunikacion. Besohet se aktualisht në Kosovë janë të paregjistruara 208 mijë automjete, apo 30 për qind.
“Kjo do të mundësojë që shumë shpejt të arrijmë në pragun nën 5 për qind të automjeteve të paregjistruara, i cili është kriter për aplikim për Kartonin e Gjelbër”, ka shkruar Durmishi. Në një deklaratë për media në Kosovë, ai ka thënë se marrëveshja do të fillojë të implementohet nga muaji shtator.
Ky postim ka nxitur komente kryesisht kundërshtuese në postimin e Durmishit, lidhur me marrëveshjen. Njëra nga komentueset, Fatbardha Dragusha, ka shkruar se “qytetarëve të ndershëm po vazhdohet t’iu shtohet barra plus pesë euro”.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, parti kjo në opozitë.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbrazur xhepat e qytetarëve me afro 2 milionë euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tiketa “nuk ndihmon” në sigurimin e Kartonit të Gjelbër
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, profesor në Kolegjin UBT, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo tiketë ngjitëse nuk ka të bëjë asgjë me sigurimin e Kartonit të Gjelbër, i cili vlen për shtetet evropiane edhe disa vende tjera.
Për t’u anëtarësuar në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër, sipas Dedës, është e preferushme që numri i automjeteve të paregjistruara të jetë nën nivelin 5 për qind, por që kjo nuk është obligative.
Ajo që është e kushtëzuar, shton Dedaj, është që Kosova duhet të jetë anëtare e OKB-së.
“Kjo tiketë ngjitëse nuk i nevojitet Kosovës me 4.99 cent. Nevojiten forma tjera të identifikimit të veturave të paregjistruara. Ajo është një kontratë e dëmshme për Kosovën. Niveli i sigurisë arrihet vetëm nëse merret me studimin e elementit që ka shkaktuar aksidentin, jo me tiketa”, thotë Dedaj.
Tiketa ngjitëse ul numrin e veturave të paregjistruara
Sami Mazreku, drejtor në Byronë Kosovare të e Sigurimeve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo tiketë do të ndikojë pozitivisht në procesin e brendshëm të Kosovës, duke ulur numrin e madh të automjeteve të paregjistruara.
“Sot në Kosovë ka vetura që lëvizin pa regjistrim dhe sigurim dhe nuk e ka asnjë mekanizëm si t’i dallosh pa i ndalur policia e Kosovës. Kjo tiketë do të jetë ndihmesë e madhe për policinë. Në anën tjetër e ul numrin e automjeteve të paregjistruara. Këto automjete të paregjistruara e ulin numrin e aksidenteve që e shkaktojnë në Kosovë. Humbjet për shtetin janë më të mëdha sesa kostoja e kësaj tikete”, thotë Mazreku.
Numri i veturave të paregjistruara në Kosovë, për vite vazhdon të jetë një sfidë e madhe për institucionet. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i veturave të paregjistruara në territorin e Kosovës është mbi 200 mijë.
Ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara, shton Mazreku, ndihmon në proceset që kanë të bëjnë me Kartonin e Gjelbër.
Ai thotë se po mundohen që përmes ndonjë shteti tjetër (duke bërë marrëveshje), të bëjnë shitjen e kartonit të gjelbër, por që këto marrëveshje nuk mund të arrihen nëse ka numër të madh të veturave të paregjistruara.
“Me një angazhim profesional e kemi bërë një zgjidhje me Malin e Zi, ku me 1 korrik ka hyrë në fuqi marrëveshja dhe po zbatohet, ku qytetarët e Kosovës lëvizin me Karton të Gjelbër të Kosovës dhe njëjtë edhe të Malit të Zi në Kosovë. Pra është eliminuar pagesa. Njëjtë mundemi ta bëjmë edhe më një shtet mik, por jo pa i i ndryshuar statistikat e brendshme”, thotë ai.
Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore.
Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Facebook Forum