Ndërlidhjet

Të ndaluar brenda, tifozët e futbollit mblidhen jashtë stadiumit


Tifozët e Prishtinës, ndjekin ndeshjet e ekipit të tyre nga Platoja e Pallatit të Rinisë. 2 qershor, 2020.
Tifozët e Prishtinës, ndjekin ndeshjet e ekipit të tyre nga Platoja e Pallatit të Rinisë. 2 qershor, 2020.

Si fëmijë, Kushtrim Ramadani nga Prishtina, kishte shkuar në stadium për të përkrahur klubin e zemrës, Prishtinën.

Por, që nga muaji mars i këtij viti, ai dhe tifozët e tjerë të futbollit dhe sporteve të tjera në Kosovë, nuk kanë mundur të shikojnë nga afër klubet e tyre, për shkak të ndalimit të grumbullimit të njerëzve në një vend, si pasojë e përhapjes së koronavirusit.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se është shumë e vështirë të mos jenë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, për të shikuar ndeshjet e Prishtinës.

Ramadani tregon se si ai dhe tifozët tjerë kanë gjetur një zgjidhje ta përkrahin ekipin e zemrës nga jashtë stadiumit.

“Ne ‘Plisat’, gjatë kohës së pandemisë prej që janë lejuar ndeshjet, ne si tifozë duke e përkrahur Prishtinën nuk kemi mundur nga jugu (tribuna e stadiumit në anën jugore e caktuar për tifozët e Prishtinës), por kemi qëndruar mbi platonë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Mungesa është e madhe. Është e kot të shikojmë ndeshjet në televizor, është problem t’i shikojmë ndeshjet mbi platonë e Pallatit të Rinisë, por shpresojmë që kjo të kalojë sa më shpejt dhe t’i kthehemi normalitetit”, thotë Ramadani.

Lojërat e futbollit në Kosovë janë rikthyer pas gati 3 muaj pauze të detyruar për shkak të pandemisë.

Më 5 qershor, 2020 u rikthyen ndeshjet e Superligës, por jo edhe tifozët në stadiume.

Një ndalesë e tillë vlen ende, sidomos pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, ‘që nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave’. Ky vendim erdhi pas rritjes së numrit të vdekjeve dhe numrit të të infektuarve me koronavirus.

Ndonëse jo në tribuna, tifozët kosovarë po grumbullohen përreth stadiumeve për të përcjellë skuadrat e tyre të zemrës.

Ky grumbullim, rrezikon që ata të infektohen dhe ta përhapin koronavirusin, prandaj sipas komentatorit të futbollit, Arlind Sadiku, tifozët duhet të lejohen në stadiume, por me numër të kufizuar.

Sadiku thotë për Radion Evropa e Lirë se është shumë më mirë nëse vendoset që në mënyrë të organizuar të lejohen shikuesit në tribuna, sesa të lejohen rreth stadiumit të qëndrojnë kështu në grumbull dhe askush të mos marrë përgjegjësi.

“Mua më ka ndodhur javën e kaluar në ndeshjen ndërmjet Ferizajt dhe Ballkanit, kanë qenë mbi 300 spektatorë që i kam numëruar unë vet. Shumica kanë qenë jashtë rrethojave, por nuk kanë mbajtur as distancë dhe kanë qenë të grumbulluar. Aty është mundësia shumë më e madhe që njerëzit të preken me koronavirus, sesa nëse bëhet me organizim dhe lejohen një numër i caktuar 300 ose 400 persona nëpër tribuna, varësisht prej kapacitetit të stadiumit dhe të ketë distancë mes shikuesve”, thotë Sadiku.

Lidhur me këtë, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të kujdesen që të mos lejohen tifozët që të grumbullohen afër hapësirave të stadiumeve.

Salihu thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk guxojnë të marrin përgjegjësi që të lejojnë tifozët brenda në stadiume, sidomos në kohën kur numrat e të infektuarve me koronavirus, po rriten çdo ditë.

“Do të isha shumë i lumtur po që sezoni i ardhshëm, nëse do të fillonte në një formë të paktën me tifozeri të reduktuar, por në këtë moment mendoj se është përgjegjësi e madhe për të marrë një federatë, posaçërisht e futbollit që është më masovike, për të lejuar tifozët në stadiume”, thotë Salihu.

Në disa vende të rajonit u lejuan tifozët

Tifozët e futbollit në Shqipëri nuk u lejuan në stadiume që nga konfirmimi i rasteve të para me koronavirus.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), kishte konfirmuar se ndeshjet e futbollit, do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Por, ndryshe nga Shqipëria, në Mal të Zi dhe Serbi, tifozët u lejuan në stadiume, por në numër më të vogël.

Kampionati i futbollit në Mal të Zi ka filluar më 30 maj dhe disa ditë para se të rifillonte, kryeministri Dushko Markoviq, bëri të ditur se liga elitare e futbollit në Mal të Zi do të rinisë me një numër të kufizuar të tifozëve në stadium.

Në Serbi, ngjarjet sportive me tifozë u lejuan duke nisur nga 1 qershori, por me kushtin që tifozët të qëndronin 1 metër larg njëri-tjetrit.

Më 11 qershor, në kryeqytetin serb, Beograd, u zhvillua një prej ndeshjeve më të rëndësishme të kampionatit.

Derbi numër 200, ndërmjet Partizanit dhe Cërvena Zvezdës (Yllit të Kuq), u luajt në prani të tifozëve, pavarësisht pandemisë.

Në stadium ishin të pranishëm rreth 20 mijë tifozë.

Tifozët nuk lejohen as në ligat më të forta të futbollit

E para që riktheu futbollin pas pauzës për shkak të koronavirusit, ishte Gjermania. Ndeshjet e mbetura të Bundesligës, u zhvilluan pa tifozë.

Njëjtë është duke ndodhur edhe në Angli. Tifozët e Premier Ligës, po shikojnë ndeshjet vetëm përmes televizorit.

Më 26 qershor, rreth 2000 tifozë të Liverpool-it rrethuan stadiumin Anfield për të festuar titullin kampion, që ekipi i tyre i zemrës e fitoi për herë të parë pas 30 vjetësh.

Në javët e fundit në Kosovë është rritur numri i të infektuarve. Që nga konfirmimi i rasteve të para në muajin mars e deri tash, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka kaluar shifrën tre mijë kurse të vdekur janë 58 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG