Mes spekulimeve dhe akuzave të vazhdueshme, dyshimeve dhe tensioneve në rritje, përcaktimi i saktë i përgjegjësisë për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit është kritik, sipas ekspertëve ligjorë dhe të sigurisë.
Përfshirja ndërkombëtare, sidomos e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, do ta rriste besueshmërinë e hetimeve, por do të ndihmonte edhe në uljen e tensioneve, thonë ata.
Shpërthimi i 29 nëntorit në Ibër-Lepenc - kanalin në veri të Kosovës, prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit - u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas Policisë së Kosovës, dhe u cilësua si më i rëndi në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
Sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të furnizimit të rregullt me ujë dhe rrymë në disa zona.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë për, siç u shpreh, “sulmin terrorist” dhe tha se ajo është duke i kopjuar metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë.
“Për ta bërë edhe më të dukshme këtë ndërlidhje, është edhe fakti se, gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në lokacione të ndryshme pas sulmit terrorist, përveç armëve dhe pajisjeve të shumta ushtarake, u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse”, tha Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se vendi i tij ka gisht në sulm dhe e dënoi atë.
“Hetimet do të tregojnë se [kush e ka kryer], sepse edhe ne po i bëjmë hetimet tona. Kemi dyshime të caktuara, porse hetimet do të tregojnë se kush e ka urdhëruar atë sulm”, tha Vuçiq.
Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë të cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha më 2 dhjetor se është herët të dihet se kush është fajtor për sulmin dhe se në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup dhe asnjë shtet.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin një hetim gjithëpërfshirës. Ne u kemi ofruar autoriteteve të Kosovës mbështetje të plotë në këtë hetim. Mendojmë se është e rëndësishme që autorët, të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier.
Njësoj edhe Bashkimi Evropian e dënoi sulmin dhe ofroi ndihmë në hetimin e tij.
Qeveria e Kosovës konfirmoi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se hetimin janë duke e bërë institucionet e vendit. Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se ato janë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe se do të mund të ndihmohen edhe prej tyre.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se gjatë një vizite në Bruksel, këtë javë, ka kërkuar bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar në hetimin e sulmit.
Ajo, po ashtu, tha se u ka prezantuar zyrtarëve evropianë dëshmitë për “lidhjet e Serbisë” me sulmin, por nuk i specifikoi ato.
Gjatë një debati në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, disa deputetë shprehën solidaritet me Kosovën, por thanë se duhet të shohin më shumë prova për përfshirjen e Serbisë. Disa si austriaku Thomas Waitz vunë në pah edhe nevojën për hetim ndërkombëtar.
Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, thotë se mbështet idenë e një hetimi të tillë, në mënyrë që “situata të mos përshkallëzohet në diçka shumë më serioze”.
“Unë nuk mendoj se kërkesa e Kosovës për ndonjë lloj përfshirjeje ndërkombëtare, është shenjë dobësie. Kjo është një situatë, në të cilën autoritetet ndërkombëtare duan që tensionet të mbahen në minimum dhe të ketë një vlerësim shumë objektiv për atë që ka ndodhur. Sepse, tash për tash, Serbia thotë se nuk është e përfshirë, ndërsa autoritetet e Kosovës thonë që po. Ndaj, mënyra më e mirë për të dalë nga kjo rrugë pa krye, është që të bëhet një vlerësim i pavarur, faktik dhe objektiv i asaj që ka ndodhur”, thotë Ellis për Exposenë.
Ellis thotë se Kosova ka disa partnerë ndërkombëtarë që mund të jenë të paanshëm dhe të ofrojnë ndihmë në hetimin e sulmit në Ibër-Lepenc - qofshin ato Shtetet e Bashkuara, misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, apo misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.
Kohëzgjatja e hetimeve thotë se nuk duhet të kufizohet, por të jetë aq sa është e nevojshme për të mbledhur prova dhe informacione të mjaftueshme.
“Nuk mendoj se duhet një periudhë jashtëzakonisht e gjatë. Duhen vetëm përpjekje të përqendruara, me burimet dhe ekspertizat që posedojnë SHBA-ja dhe BE-ja”, thotë Ellis.
Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se me ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë, autoritetet e Kosovës kanë treguar se mund të bëjnë hetime profesionale. Por, thekson se sulmi në Ibër-Lepenc është më i turbullt.
“Padyshim që çdo ndihmë nga komuniteti i jashtëm është e dobishme. Bashkëpunimi nga Vuçiqi në Beograd do të mirëpritej po ashtu. Ai e mohon përfshirjen e Serbisë në këtë incident dhe, natyrisht, i hedh poshtë akuzat se ai është ideuar në Beograd. Tani për tani, duhet besuar fjalëve të tij, por çdo ndihmë që ai mund të ofrojë, do të ishte e dobishme”, thotë Shea për Exposenë.
Shea shpreh bindjen se incidentet e tilla kanë për qëllim ta prishin procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai thotë se ato shpesh ndodhin në kohën kur Bashkimi Evropian është duke përgatitur rundin e radhës të bisedimeve. Kështu, sipas tij, ishte edhe rasti i fundit.
Vetëm tri ditë pas sulmit në Ibër-Lepenc, Kurti dhe Vuçiq ishin në Bruksel, ku zhvilluan takime të ndara me shefen e re të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Ndonëse BE-ja tha se takimet nuk ishin pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Shea thotë se pala kosovare duhet të ketë kujdes që udhëheqja e re evropiane të mos ftohet nga procesi, si pasojë e refuzimit të saj për t’u takuar me palën serbe.
“Unë shpresoj se do të mbizotërojnë kokat e mençura dhe do ta ndajnë dialogun nga ky incident, derisa hetimet vazhdojnë. Gjëja e fundit që dëshironi, është t’i lejoni sabotuesit t’i arrijnë lehtësisht qëllimet e tyre politike. Pra, atyre nuk duhet t’u jepet fitore e lehtë në këtë aspekt”, thotë Shea.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në shtator të vitit të kaluar, kur biseduan për mënyrat e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Pak ditë pas atij takimi ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një oficer.
Kurti, pastaj, e kushtëzoi pjesëmarrjen në takim me Vuçiqin me dorëzimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Gati një vit pas këtij sulmi, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave të nacionalitetit serb, përfshirë Radoiçiqin.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, tha atëkohë se falë bashkëpunimit ndërkombëtar me SHBA-në, me shtete të BE-së dhe të tjera, prokuroria ka arritur të sigurojë “prova që ndihmuan në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”.
Ellis përmend si shembuj disa sulme nga lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, ku hetimet ndërkombëtare janë treguar të dobishme.
“... sepse, ato kanë siguruar një vlerësim të paanshëm dhe objektiv të ngjarjeve që kanë ndodhur. Është e rëndësishme që ato ngjarje të mos përdoren për manovra politike nga palët e kundërta në konflikt”, thotë Ellis.
Derisa punimet për riparimin e dëmeve në kanalin e Ibër-Lepencit vazhdojnë, banorët lokalë jetojnë me frikën se kur mund të ndodhë sulmi i radhës. Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë, ata nuk pranuan të flisnin para kamerës, por thanë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre. Mes kësaj rrëmuje, çdo mesazh i autoriteteve u duket si premtim i zbrazët.