Ndërlidhjet

Thirrje për rikthimin e nxënësve në shkolla


Disa nxënëse në Kosovë. Fotografi ilustruese.
Disa nxënëse në Kosovë. Fotografi ilustruese.

Pavarësisht lirimit të masave kufizuese në shumë sektorë në Kosovë pas stabilizimit të situatë epidemiologjike, vijimi i mësimit në institucionet shkollore mbeti i pandryshuar.

Nxënësit në Kosovë nga klasa e parë deri në klasën e pestë, vazhdojnë të mbajnë mësimin në dy grupe, për jo më shume se dy orë, kurse klasat tjera janë duke zhvilluar mësimin në mënyrë të kombinuar: online dhe me prezencë në shkolla.

Kthimi në normalitet në sektorin e arsimit po kërkohet nga përfaqësuesit e prindërve dhe mësimdhënësve.

Ymret Reshitaj, përfaqësues i Këshillit të Prindërve të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë që të ketë masa lehtësuese për veprimtaritë që kanë qenë shpërndarës numër një të koronavirusit dhe mos të lejohet të mbahet mësim i rregullt.

“Këto masa lehtësuese kanë përfshirë shumë sektorë të cilët mund të ndikojnë apo kanë ndikuar në përhapjen e virusit dhe në rritjen e numrit të të infektuarve në nivel Kosovës. Ne konsiderojmë se qeveria është dashur të parashohë lirimin e masave për arsim. Arsimi parauniversitare është dashur të fillojë me orar të plotë ose të mbahet mësimi i rregullt”, tha ai.

Institucionet shkollore, të cilat ishin identifikuar të pestat në listën e vendeve shpërndarëse të COVID-19, pas gastronomisë dhe qendrave tregtare, nuk janë përfshirë në masat lehtësuese të Qeverisë së Kosovës, të cilat kanë hyrë në fuqi më 31 maj.

Me masat e reja, të gjitha institucioneve publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtëmësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve/studentëve.

Mësimi në shkolla t’i kthehet normalitetit

Edhe Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), tha për Radion Evropa e Lirë se mësimi në shkolla duhet t’i kthehet normalitetit, pasi që situata me pandeminë është stabile.

“SBASHK-u në shumë takime me Ministrinë e Arsimit dhe me drejtoritë komunale ka kërkuar që varësisht nga situata, pasi sipas shifrave kemi stabilitet të situatës me COVID-19, që MASHTI të sjellë një vendim që situata të kthehet në normalitet, që orët të jetë në minutat e paraparë, që klasat e ndara në dysh të bashkohen. Kjo ndarje ka bërë që mësimdhënësit të kenë më shumë punë”, tha Jasharaj.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit rreth kësaj çështjeje, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.

Jasharaj po ashtu është shprehur kundër zgjatjes së vitit shkollor 2020/21, ashtu siç janë njoftuar nga MASHTI që ky vit të zgjasë deri në fillim të korrikut. Vendimi lidhur me këtë çështje ende nuk është marrë.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se rishikimi i udhëzuesit për organizmin e mësimit gjatë pandemisë do të duhej të konsiderohej qysh në fillim të këtij gjysmëvjetori.

Sipas tij, orari i shkurtuar, kalimi mes skenarëve, vazhdojnë të cenojnë jashtëzakonisht cilësinë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

“Lehtësimi i masave për sektorë tjerë, mirëpo anashkalimi i rishikimit të udhëzuesve për shkolla duket i pakuptimtë, veçanërisht kur tashmë është dëshmuar që shkollat nuk kanë qenë burim i infeksionit. Dëmi i kësaj periudhe të pandemisë për nxënësit është vështirë i korrigjueshëm, andaj edhe rëndësia që nga shtatori, përtej pandemisë të rikthehet përkushtimi institucional në sigurime të një cilësie më të madhe në mësimdhënie dhe nxënie”, thotë Qehaja.

Shkollat nuk ishin bartëse të mëdha të koronavirusit

Në bazë të hulumtimeve epidemiologjike të rasteve me COVID-19 të Institutit Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës, si shpërndarëse të infeksionit ishte identifikuar gastronomia, sektor të cilit, me masat e reja i është zgjatur orari i punës. Po ashtu, qendrat tregtare ishin në listën e vendeve shpërndarëse të COVID -19, edhe ato janë liruar dhe punojnë pa kufizime që një kohë.

Shërbimet e gastronomisë nga e hëna, më 31 maj, lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 23:00. Kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve është hequr, por nga ora 00:00 deri në ora 05:00, nuk lejohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave.

Me masat e reja të Qeverisë së Kosovës lejohen grumbullimet në ambiente të brendshme deri në pesëdhjetë persona, me kusht që të mbahet distanca fizike mbi 1.5 metër në mes të personave. Ndërkaq, mbledhjet e kuvendit dhe të qeverisë lejohen, pavarësisht numrit të personave.

Në Kosovë, numri i rasteve me COVID-19 ka shënuar rënie gjatë javëve të fundit. Më 31 maj, u regjistruan pesë raste të reja me koronavirus.

Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara. Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të vitit të kaluar, ishte theksuar se kanë ngecje të lartë në mësimnxënie.

Ky raport pati vënë në pah se një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vjet shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të.

Por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9. Pra, sipas Bankës Botërore, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG