Ndërlidhjet

Dy ftesat e Thaçit që nuk e çuan Kurtin në Presidencë


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i kandiduari i vetëm deri më tani për postin e kryeministrit, nuk është paraqitur në takimin konsultativ te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë edhe zyrtarisht nominimin për mandatar për formimin e qeverisë së re.

Dy ftesat që Thaçi ia adresoi Kurtit, nuk rezultuan me realizimin e takimit mes tyre.

Ftesa e presidentit Thaçi për Albin Kurtin
Ftesa e presidentit Thaçi për Albin Kurtin

Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, nuk kanë arritur ta finalizojnë me marrëveshje koalicioni procesin e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës për ndarjen e pushtetit dhe formimin e qeverisë.

Por, pavarësisht këtij fakti, duke u thirrur në kompetencat kushtetuese që pasojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, procedurë kjo që u përmbyll të enjten, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ftoi liderin e partisë fituese të zgjedhjeve, Albin Kurtin, në konsultime në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Kurti nuk u paraqit në takim, me arsyetimin se nuk ndodhej në Prishtinë.

“Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, kanë deklaruar zyrtarë të Vetëvendosjes për Radion Evropa e Lirë.

Përgjigjja e Vetëvendosjes për ftesën e presidentit Thaçi
Përgjigjja e Vetëvendosjes për ftesën e presidentit Thaçi

Takimi ishte caktuar në orën 13.30. Por, pasi që Kurti nuk u paraqit aty, menjëherë pas, Thaçi bëri edhe përpjekjen e dytë, duke i dërguar letër Kurtit për një takim në orën 20.00.

“Ai nuk u paraqit në zyrën time ashtu siç pritej, sidoqoftë një ftesë e re do të pasojë së shpejti”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

“Unë u bëj thirrje të gjithëve që të mos e vonojnë krijimin e qeverisë. Njerëzit dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi.

Pas ftesës së dytë, Vetëvendosja ia përsëriti Thaçit se të premten, Kurti nuk mund të shkojë në takim.

Gjatë mesditës, zyrtarë të Vetëvendosjes patën deklaruar se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës. Kurse në mbrëmje, Kurti është paraqitur në Prishtinë në një organizim të Vetëvendosjes për festat e fundvitit.

“I kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj, nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti, duke arsyetuar mosshkuarjen e tij në takim te presidenti Thaçi.

Kurti ka thënë se agjenda e tij nuk mund të bëhet aty për aty, gjatë ditës, duke pohuar se do ta takojë Thaçin, porse jo me urgjencë.

Caktimi i mandatarit për formimin e qeverisë ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në dinamikën e formimit të institucioneve, përkatësisht qeverisë, pasi që nga momenti i caktimit të tij, do të nisë rrjedhja e afatit ligjor prej 15 ditësh për formimin e qeverisë së re.

Duke e shmangur takimin me Thaçin, me çka pamundësohet edhe mandatimi i tij për postin e kryeministrit, Kurti besohet se fiton ndonjë ditë më shumë në përpjekjet e tij për arritjen e marrëveshjes me LDK-në për formimin e qeverisë.

Njohësi i zhvillimeve politike, Vigan Qorolli thotë se ftesa e presidentit nuk ndikon në nisjen e afatit ligjor prej 15 ditëve për formimin e qeverisë.

“Afati kushtetues 15 ditor nuk fillon të rrjedh sipas këtij dokumenti që është një akt pa titull të saktë shkresor, derisa ky afat kushtetues do të fillojë se efektuari juridikisht vetëm nga momenti kur Shefi i Shtetit ia dorëzon dokumentin zyrtar të nominimit kandidatit për Kryeministër”, ka shkruar Qorolli në Facebook.

Pas seancës konstituive të Kuvendit, të premten dy partitë që synojnë formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zgjedhur të heshtin. Nuk është raportuar as për ndonjë nismë të re për vazhdimin e bisedimeve.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Ndërkaq duke iu referuar zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së re të Kuvendit, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë për mediat lokale se këto vendime në Kuvend e kanë kthyer në fillim procesin e negociatave ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e qeverisë. Kjo për faktin se posti i kryetarit të kuvendit, sipas Mustafës, ishte pjesë e negociatave mes këtyre dy partive politike dhe tani Vetëvendosje, si parti fituese, pritet që t’i propozojë një ofertë të re LDK-së për koalicion dhe bashkëqeverisje.

Në anën tjetër, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, në paraqitjen e tij para mediave pas konstituimit të Kuvendit, e kishte cilësuar si vendim krejt normal zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ngase sipas tij, Vetëvendosje nuk preferon zvarritjen e formimit të institucioneve të reja.

Në bazë të Kushtetutës, fillimisht presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen, për ta formuar Qeverinë.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Por, në rast se as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Anëtarët e qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para Kuvendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG