Ndërlidhjet

Thaçi e Haradinaj shtojnë konfuzionin rreth deportimit të shtetasve turq


Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.

Liderët e institucioneve më të larta shtetërore në Kosovë vazhdojnë të prezantojnë deklarata të ndryshme në lidhje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Aksioni i deportimit të tyre u ndërmor më 28 mars dhe u raportua si një veprim i përbashkët i shërbimeve inteligjente të Turqisë dhe Kosovës.

Por, për këtë aksion, të paktën sipas deklaratave publike, nuk kishin informata presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Të shtunën, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë mbajtur konferenca të ndara për media. Përderisa Thaçi tha se e posedon raportin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) rreth këtij rasti, Haradinaj kërkoi informacione si nga AKI-ja, ashtu edhe nga institucionet tjera përgjegjëse.

Në këtë konferencë, presidenti Thaçi tha se posedon një raport të detajuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI), ku thuhet se arsyeja e deportimit të gjashtë shtetasve turq ka të bëjë me veprime të paligjshme në Kosovë.

“Pra, arsye e vetme gjithmonë, sipas AKI-së, është rrezikimi i sigurisë kombëtare. Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën. Por, detajet dhe procedurat duhet të sqarohen nga AKI- ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme deri në fund, dhe në rast se ka pasur shkelje, atëherë përgjegjësit duhet të japin llogari kushdo që të jetë”, tha presidenti Thaçi.

Sipas raportit të AKI-së, të cilin e prezantoi Thaçi, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën, kur personave të rrezikshëm për sigurinë, u është marrë apo revokuar leja e qëndrimit.

Thaçi tha se rasti po hetohet nga organet kompetente shtetërore si dhe nga Avokati i Popullit. Andaj, sipas tij, përderisa nuk sqarohen të gjitha detajet, duhet pritur për konkluzionet përfundimtare.

​“Aktivitetet terroriste dhe të spiunazhit në vendit tonë, ashtu si edhe në vendet tjera demokratike, bëhen në format më të sofistikuara”, theksoi Thaçi.

Por, Thaçi nuk sqaroi se për cilat aktivitete terroriste bëhet fjalë dhe as nuk e sqaroi nëse e kishte fjalën për gjashtë shtetasit e dëbuar turq, të cilët, besohet se i takojnë Lëvizjes së Fetullah Gulenit, e cila aktualisht vetëm nga regjimi i Recep Tayip Erdogan cilësohet si organizatë terroriste, por jo edhe nga SHBA-ja dhe vendet evropiane.

Sidoqoftë, Thaçi tha se “në asnjë rrethanë nuk do të lejohet që ky lëshim që ka ndodhur, të keqpërdoret politikisht nga askush”.

Në anën tjetër, kryeministri i Haradinaj, duke u thirrur në kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kërkoi nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë, nga kryeprokurori, drejtori i Policisë së Kosovës, zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, sekretarit i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ndriçimin e plotë të ngjarjes së largimit me forcë të shtetasve të huaj nga Kosova.

Kërkesa e kryeministrit Haradinaj u bë pas takimit të së shtunës të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

“Kam kërkuar nga secili institucion, veç e veç, që me angazhim të plotë të qartësojnë përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese e ligjore dhe të ndërmarrin menjëherë hetime gjithëpërfshirëse, të hollësishme brenda institucioneve dhe ndërveprim institucional”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

Autoritetet në Kosovë të enjten kanë arrestuar dhe më pas kanë dëbuar për në Turqi gjashtë shtetas turq, punonjës në shkollën “Mehmet Akif” në Kosovë.

Shkollat "Mehmet Akif" në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor “Gulistan”.

Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grusht-shtet në Turqi, në vitin 2016.

Pas dëbimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte liruar nga detyra që nënkuptonte shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Një rast i ngjashëm ekstradimi ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, kur Serbia kishte deportuar një aktivist politik kurd, Cevdet Ayaz, me gjithë udhëzimin e Komitetit të Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës për të mos e ekstraduar atë.

Ayaz ishte marrë nga qendra për të huajt në Beograd, ku ishte duke qëndruar pasi autoritetet kishin refuzuar kërkesën e tij për azil. Ayaz ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie në Turqi, nën dyshimet se kishte qenë i angazhuar në aktivitete kundër Kushtetutës turke.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG