Ndërlidhjet

Thaçi e Vuçiq thonë se zhvilluan një takim shumë të vështirë


Thaçi dhe Vuçiq flasin pas takimit në Bruksel
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka pritur në takim të përbashkët presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky takim me Vuçiqin, ishte prej takimeve më të vështira të dialogut të deritashëm.

Ai tha se Vuçiqi dhe Serbia, ende nuk po e pranojnë faktin se Kosova është shtet i pavarur.

“Ka qenë një takim i shkurtër. Ka qenë një takim jo i lehtë. Mund të them shumë i vështirë, ndoshta më i shkurti dhe më i rëndi prej të gjitha takimeve që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit”, tha Thaçi.

“Por, përkushtimi ynë për të ardhmen evropiane është serioz, i përgjegjshëm. Prandaj, do të punojmë maksimalisht që ta arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, tha presidenti i Kosovës.

“Unë ende shoh dritë në fund të tunelit, megjithëse do të jetë jashtëzakonisht vështirë për arsye se Serbia ende mendon se Kosova është pjesë e saj. Ka qenë takim shumë i rëndë me zotin Vuçiq dhe ai duhet ta kuptojë se Kosova është vend sovran”, theksoi Thaçi.

“Pavarësia nuk është alternativë kompromisi”, nënvizoi Thaçi. Sipas tij, duhet të arrihet një marrëveshje për të dyja vendet, si vende sovrane dhe një marrëveshje që hap perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe për Serbinë.

“Nuk pres që procesi të lehtësohet, pres vështirësi edhe më të mëdha, pres pengesa, duke shkuar drejt finalizimit të dialogut”, theksoi Thaçi.

Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq tha se janë pajtuar me Thaçin për dy çështje, që bisedimet të vazhdojnë në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje kompromisi dhe të angazhohen për ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon.

“Nuk janë bisedime të lehta, por është me rëndësi të bisedojmë dhe të ruajmë paqen. Edhe më e rëndësishme është që t’i zgjidhim problemet për të ardhmen në mënyrë që në të ardhmen mos të kemi probleme të tilla”, tha ai.

Vuçiq tha po ashtu se Thaçi dhe klasa politike në Kosovë po e ofrojnë vetëm pavarësinë e Kosovës si zgjidhje.

“Por, kjo nuk mund të funksionon kështu. Ne duhet të ulemi dhe të përpiqemi të gjejmë zgjidhje e kompromise për shumë çështje. Asnjëra palë nuk mund të jetë plotësisht e kënaqur, duhet gjetur zgjidhje që të dyja palët të jenë të kënaqura”, tha Vuçiq.

Ndërkaq, pas takimit Thaçi-Vuçiq, Zyra e Mogherinit ka thënë se palët kanë diskutuar për vazhdimin e punës për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

"Përfaqësuesja e Lartë dhe dy presidentët kanë rishikuar përparimi e bërë dhe kanë diskutuar për kornizën e marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve, që duhet të jetë ligjërisht obligative. Ata janë pajtuar të ritakohen brenda pak javësh për të vazhduar punën", thuhet në njoftim.

Një nga kërkesat e Bashkimit Evropian është që dialogu të intensifikohet dhe përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, në Prishtinë, por edhe në Beograd, janë zhvilluar konsultime të brendshme për qëndrimet dhe pozicionet që do të mbajnë palët në raport me marrëveshjen që po paralajmërohet.

Të dyja palët kanë paralajmëruar vendime e kompromise të vështira.

Këto paralajmërime, nga opozita në Prishtinë nuk janë mirëpritur dhe janë përcjellë me kritika ndaj presidentit Thaçi. Sipas opozitës, paralajmërimet për vendime të vështira dhe kompromise mund të jenë të rrezikshme për Kosovën.

Ndërsa dialogu po hyn në një fazë më dinamike, në Prishtinë ka edhe përpjekje që si pjesë e ekipit të përfshihen edhe partitë opozitare, sado që ka një rezistencë të vazhdueshme nga opozita që të hyjë në këtë delegacion që po kryesohet nga presidenti Hashim Thaçi, pa një mandat paraprak nga Kuvendi i Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG