Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të mërkurën kanë nisur verifikimin e gjendjes me koronavirus në shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë së Veriut.
Ky proces verifikimi do të përfshijë 8,200 nxënës, ndërsa ka për qëllim të detektojë nëse në mesin e nxënësve ka raste asimptomatike, do të thotë që janë të infektuar me koronavirus, por që nuk shfaqin simptoma dhe mund ta transmetojnë virusin te personat e tjerë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se ky proces do të zgjasë pesë ditë dhe do të realizohet nga ekipe mobile të Institutit të Shëndetit Publik.
“Ne përmes këtij procesi synojmë të kemi një pasqyrë më të qartë lidhur me gjendjen epidemiologjike në shkolla që nga fillimi i mësimit me prani fizike, nëse ka apo jo rritje të numrit të të infektuarve, por që nuk tregojnë simptoma. Është një metodë që e bëjmë në bashkëpunim me prindërit, nga të cilët kemi kërkuar pëlqimin nëse duan ose jo që fëmijët e tyre të testohen”, ka deklaruar ministri Filipçe.
Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut në disa raste ka dalë më të dhëna se numri i nxënësve të infektuar në shkolla është shumë i vogël, mes 0,01 deri në 0,02 për qind apo jo më shumë se 200 nxënës në nivel të shtetit.
Dragana Spasevska, përfaqësuese e nismës qytetare, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”, është kundër testimit të nxënësve.
“Shumica e prindërve që janë pjesë e nismës tonë nuk duan që të testohen fëmijët që janë gjendje të mirë shëndetësore, pasi edhe tani nëse ndonjëri nga fëmijët ka simptome apo është sëmurë, prindërit kanë treguar vetëdije të lartë, nuk i kanë lëshuar fëmijët në shkolla apo i kanë testuar për të kontrolluar gjendjen e tyre. Shkollat po zbatojnë protokollet, sikur edhe punonjësit. Përqindja e të infektuarve është e ulët, kështu që nuk ka nevojë për verifikim”, thotë Spasevska.
Infektologu Nikola Panovski thotë se nuk ka nevojë për verifikim të rastësishëm, por testet duhet të shpërndahen në shkolla në mënyrë që kur një nxënës të shfaqë simptoma të sëmundjes COVID-19, të testohet menjëherë.
“Mendoj se fëmijët nuk duhet t’i nënshtrohen këtij testi apo verifikimi për të parë nëse kanë qenë apo jo të infektuar, pasi kjo mënyrë e testimit nuk identifikon rastet asimptimatike. Mendoj se mënyra më e mirë do të ishte që shkollat të pajisen me teste të shpejta dhe çdonjëri që paraqitet me simptome që i ngjajnë koronavirusit, të testohet. Momentalisht testet i bëjnë kush si të mundet, disa janë me simptoma dhe presin me ditë për t’u testuar, disa nuk paraqiten fare, kështu që nuk kemi ende një pasqyrë të mirë edhe pse për momentin gjendja në shkolla është e qëndrueshme”, thotë Panovski.
Profesori Dragan Danilovski thotë se vetëm testimi i rregullt i të gjithë nxënësve, të paktën një herë në javë ose në mënyrë optimale dy herë në javë, mund të sigurojë të dhëna mbi rreziqet e transmetimit të virusit.
"Nëse verifikimi është planifikuar të bëhet vetëm një herë, për të pasqyruar situatën aktuale me përhapjen e infeksioneve, dhe testimi i rregullt i plotë nuk është i realizueshëm për arsye materiale, atëherë do të ishte më e udhës që të testohen më tej, në shtëpi, vetëm nxënësit të cilët kanë simptoma. Dhe nëse ata janë pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi, pasi kështu do të jetë e mundur të kufizohet përhapja e infeksionit, të paktën pjesërisht," thekson Danilovski.
Nga 1 shtatori, mësimi me prani fizike ka nisur në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë së Veriut. Një vendim i tillë erdhi pas reagime të shumta në opinion lidhur me mosfunksionimin e sistemit online dhe pasojat psikike mbi shëndetin e fëmijëve që ishin konstatuar nga hulumtime të ndryshme.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, infektimet në periudhën e fundit në bazë ditore sillen mes 300 dhe 400 të infektuar ,ndërsa i vdekjeve mes 10 dhe 15 raste. Nga rreth 183 mijë persona të diagnostikuar me COVID-19, raste me fatalitet janë 6,978, ndërsa numri i rasteve aktive është rreth 6,700.
Facebook Forum