Ndërlidhjet

Testi i maturës shtetërore, të hiqet ose të standardizohet


Një shkollë fillore në Prishtinë
Një shkollë fillore në Prishtinë

Testi i maturës në Kosovë, ka nevojë të standardizohet apo edhe të hiqet si formë e vlerësimit dhe matjes së njohurive, vlerësojnë ekspertë të fushës së arsimit. Këtij testi i nënshtrohen nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të të arsimit të mesëm.

Testit të maturës në Kosovë çdo vit i nënshtrohen rreth 30 mijë maturantë.

Ky test vlerëson arritjet e njohurive, shkathtësive dhe aftësive të nxënësve të cilat i kanë fituar gjatë arsimimit parauniversitar në përputhje, me kurrikulën e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, si test përcakton edhe nivelin e kompetencave të arritura të nxënësve, dhe përfundimi me sukses i këtij testi mundëson më pas aplikimin për studime në universitet.

Pragu i kalueshmërisë në provimin e maturës shtetërore sipas Ligjit për provimin e maturës shtetërore është 40 për qind.

Megjithatë, ky test i maturës, sipas ekspertit të çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, ka shumë arsye që të mos zbatohet fare derisa të gjendet një formë tjetër e organizimit të provimit shtetëror.

“Mendoj se ka dëshmi të mjaftueshme që ky test të hiqet sepse nuk administrohet si duhet, nuk mund të menaxhohet. Rezultatet që fitohen nga ky test nuk janë të besueshme. Zbatimi i këtij testi nuk ka arritur të motivojë nxënësit për një punë më të avancuar. Testi po ashtu është i pa standardizuar, është i pa hulumtuar në aspektin e ekonomisë, vlefshmërisë dhe në shumë aspekte tjera”, thekson Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të prindërve thonë të mos jenë të kënaqur me mënyrën e zbatimit të testit të maturës.

Udhëheqësi i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Bajram Beqiri, për Radion Evropa e Lirë se si i tillë nuk do të duhet të merret si bazë për vlerësimin e nxënëseve.

“Ne kemi vlerësuar se testi i maturës po krijon komplikime. Ne nuk jemi të hiqet tërësisht testi i maturës. Mund të jetë si test për tu verifikuar njohuritë e fituara gjatë katër viteve shkollorë, por testi i maturës të mos ketë implikime në regjistrim, të jetë vetëm si orientim, por jo të ndikojë drejtpërdrejt në regjistrimin në fakultet. Ka shumë nxënës të mirë të cilët mund të dështojnë në testin e maturës, derisa ata që janë më të dobët ta kalojnë testin”, thekson Beqiri.

Në këtë vit, pjesa e parë e provimit të maturës në Kosovë është mbajtur, derisa pjesa e dytë, sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Shtetëror të Maturës do të mbahet më 24 qershor.

Ky Komision e kishte vlerësuar si të suksesshëm organizimin dhe administrimin e testit të maturës.

Ata kishin konstatuar se këtë vit tentimet për kopjim dhe shpërndarje të testit në rrjetet sociale kanë qenë dukshëm më të vogla se vitet më parë.

Halim Hyseni, thotë se derisa cilësia e arsimit në Kosovë vazhdon të jetë në nivel shumë të ulët, nuk mund të pretendohet që të ketë rezultate të suksesshme të provimit të maturës.

“Problemi i maturës duhet të shikohet nga edukimi parashkollor kur atje fillon të ngritët cilësia, në arsimin fillor po ashtu, në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë, tek atëherë mund të presim që nxënësit tanë të tregojnë rezultate edhe në testin ndërkombëtar PISA edhe në testin e maturës”, thotë Hyseni.

Cilësia e dobët e arsimit në Kosovë ishte bërë e ditur edhe nga Programi për vlerësimin ndërkombëtar i njohur me shkurtesën “PISA”. Ky mekanizëm në vitin e kaluar kishte radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG