Ndërlidhjet

Banorëve të Antakias “iu bë frika realitet” pas tërmetit të tretë


Banorët e Antakyas të frikësuar pas tërmetit të 20 shkurtit, dalin jashtë tendave.
Banorët e Antakyas të frikësuar pas tërmetit të 20 shkurtit, dalin jashtë tendave.

Reuters

Havva Tuncay ishte duke jetuar në një tendë afër qendrës së qytetit Antakia në Turqi në momentin kur një tërmet tjetër ndodhi të hënën më 20 shkurt. Që nga tërmeti i 6 shkurtit me magnitudë 7.8 ballë, Havva së bashku me fëmijët e saj kanë mbetur në rrugë, të frikësuar edhe për të fjetur.

“Nuk mundem të fle aspak. A do të na ndodhë prapë e njëjta gjë, a do të përjetojmë prapë një tërmet tjetër? Ne jemi shumë të frikësuar, nuk kam fjetur qe një javë”, deklaroi ajo për Reutersin nga tenda e saj.

Jo shumë pak kohë më pas, toka filloi të dridhej. Këto dridhje rrëzuan edhe stufën me dru ku ishte duke u vluar çajniku në tendën e Havvës.

Ato ndërtesa afër parkut që u dëmtuan rëndë gjatë tërmetit që la të vdekur më shumë se 42 mijë persona, me tërmetin e fundit u rrënuan plotësisht në tokë. Natën nga distanca mund të shihej ndriçimi i qiellit me shkëndija, të cilat reflektonin retë që mbulonin qiellin mbi Antakia teksa toka dridhej.

Një grua duke marrë oksigjen pas tërmetit të tretë në Antakia, në provincën Hataj, Turqi, 20 shkurt 2023.
Një grua duke marrë oksigjen pas tërmetit të tretë në Antakia, në provincën Hataj, Turqi, 20 shkurt 2023.

Pas tërmetit, zona u mbush me pluhur nga rrënojat e ndërtesave duke e vështirësuar situatën edhe më shumë në një natë të ftohtë. Edhe pas tërmetit situata ishte ende shumë kritike pasi disa ndërtesa filluan të lëkunden, madje shumë prej tyre filloi t’iu binte fasada.

Në ato moment përgjatë kampit në parkun qendror u dëgjuan të qara, britma dhe lutje duke thënë “Zoti është më i fuqishmi”. Njerëzit nga paniku vraponin, largoheshin nga tendat e tyre me shpejtësi pa mbathur as këpucët.

Disa qëndruan së bashku, të përqafuar me të dashurit e tyre, fëmijët dhe partnerët e tyre, të tjerë nxituan për t’u larguar, e shumë prej tyre edhe u rrëzuan në tokë nga dridhjet e fuqishme të tërmetit.

Havva, 33-vjeçarja, e cila është nënë vetushqyese e tre fëmijëve, iku nga tenda e saj duke mallkuar e qarë. Kur u rrëzua nga lëkundjet e tokës, ajo përjetoi goditje të fuqishme në kokë sa që ishte në rrezik se do të alivanosej.

Frikën, e cila e ka lënë pa gjumë që nga dita e tërmetit vdekjeprurës, ajo e përjetoi përsëri pas dy javësh.

Mehmet Uslu, 18 vjeç, i cili është i biri i Havvës, së bashku me disa fqinj të tjerë vrapuan te 33-vjeçarja duke u munduar ta qetësojnë atë.

“Zemra po rreh shumë”, tha ajo. Mehmeti, me njërën dorë e mban nënën e tij e me dorën tjetër mban telefonin, me të cilin janë duke biseduar me vëllezërit dhe motrat.
Punonjësit e ndihmës e udhëzuan atë që të ulej, të qetësohej dhe të pinte ujë. Por, shqetësimi kryesor i Havvës ishin vajzat e saj, të cilat kishin shkuar te gjyshja për t’u pastruar, në një fshat i cili ndodhet afër parkut.

Banorët e frikësuar pas tërmetit të tretë në Antakya.
Banorët e frikësuar pas tërmetit të tretë në Antakya.

Mehmeti u tha motrave të tij që të mos futen në asnjë ndërtesë. “Sapo ndodhi një tërmet, ne dolëm jashtë”, tha njëri nga ta duke shtuar se si pasojë e lëkundjeve, energjia elektrike është ndërprerë.

“Mos u frikësoni për ne, toka nuk u dridh shumë”, shtoi njëra nga motrat.

Havva u premtoi fëmijëve të saj se ata do të largohen së bashku dhe do të zhvendosen në Edirne, në veri-perëndim të kufirit turk, i cili gjendet 1350 km larg vendit ku ata ishin duke jetuar.

“Unë do të vij për t’ju marrë, ne do të shkojmë së bashku”, u tha Havva vajzave.

“Ku do të shkojmë, a do të ketë tërmete edhe atje? Me siguri që do të ketë”, tha njëra nga vajzat.

Reuters të martën pa Havvën, Mehmetin dhe dy vajzat e saj në qendër së qytetit të Antakias, duke hipur në një autobus që do t'i dërgonte në Edrene pa pagesë.

“Kam kokëdhimbje, ju na patë si ishim ne dje”, i tha ajo Reutersit.

Murat Vural, farkëtar 47-vjeçar, i cili ndodhej në kamp të hënën mbrëma, tha se tërmetet që po ndodhnin janë një nga shenjat fetare të fundit të botës.

“E pata një ndjesi që do të vdesim këtu dhe do të varrosemi këtu”, tha Vural.

Ai thirri në telefon mikun e tij të hënën menjëherë pas tërmetit për t'i thënë se edhe ata duhet të largohen nga qyteti.

“Ky nuk është më një vend ku ne mund të qëndrojmë, ne jemi të brengosur për fatin e jetës sonë. Po, vdekja është e shkruar për të gjithë, por edhe të jetosh është mirë”, tha 47-vjeçari.

Përgatiti: Albina Kastrati

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG