Ndërlidhjet

Lideri separatist gjeorgjian thotë se ende s’ka kompromis me protestuesit në Abkazi


Udhëheqësi de facto i Abkazisë, Aslan Bzhania. Fotografi nga arkivi.
Udhëheqësi de facto i Abkazisë, Aslan Bzhania. Fotografi nga arkivi.

Në rajonin e shkëputur gjeorgjian të Abkazisë – që mbështetet nga Rusia – tensionet kanë vazhduar edhe më 17 nëntor, teksa presidenti i këtij rajoni separatist tha se ende nuk është arritur një kompromis me opozitën.

Protestuesit raportohet se ende po vazhdojnë të qëndrojnë brenda ndërtesës së Parlamentit në kryeqytetin Sukumi, pasi hynë në të më 15 nëntor, gjatë protestës kundër marrëveshjes me Moskën për investime.

Lideri de facto i rajonit, Aslan Bzhania, tha më 16 nëntor se do të jepte dorëheqje pasi protestuesit të largoheshin nga Parlamenti. Megjithatë, më vonë po atë ditë, Bzhania u takua me Qeverinë e tij në vendlindjen e tij në Tamish për të diskutuar për mënyrat se si “të stabilizohet situata e krijuar”.

Ka pasur frikë se dhuna mund të përshkallëzohej pas hyrjes së protestuesve në Parlamenti, teksa për javë të tëra rajoni është përballur me tensione.

Udhëheqësit opozitarë kanë kërkuar që jo vetëm Parlamenti të heqë dorë nga marrëveshja me Rusinë, e cila sipas kundërshtarëve të saj do t’iu mundësonte rusëve të pasur të blejnë prona në rajonin piktoresk të Detit të Zi dhe do të rriste çmimet e patundshmërisë, por po ashtu duan që Brzhania të japë dorëheqje. Opozita po ashtu po kërkon që dorëheqje të japin edhe zëvendëspresidenti i rajoni dhe kryeministri.

“Situata do të stabilizohet. Ne do të rikthejmë gjithçka në kornizën ligjore”, citohet të ketë thënë Bzhania më 16 nëntor.

Bzhania, ish-shef i shërbimit shtetëror të sigurisë në Abkazi, u tha mbështetësve të tij më 16 nëntor se “po u bëhet presion i madh anëtarëve të Parlamentit në mënyrë që Parlamenti të ndërmarrë veprime të paligjshme për të rrëzuar presidentin”. Ai paralajmëroi se “skenari i vitit 2014 nuk do të përsëritet”, referencë për një nga dy herat kur udhëheqësit në Abkazi dhanë dorëheqje për shkak të protestave të opozitës.

Ministria e Brendshme dhe shërbimet e sigurisë thanë përmes deklaratave për media se do t’iu përmbahen urdhrave të presidentit.

Ndërkaq, protestuesit thanë se protesta e tyre nuk ka për shënjestër raportet e ngushta mes Abkazisë dhe Rusisë, por është kundër Bzhanianit, të cilin e akuzojnë “se po tenton të përdorë këto raporte për interesat vetjake dhe për të forcuar regjimin e tij”.

Protestuesit, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS, kanë thënë se do të qëndrojnë në Parlament derisa të japë dorëheqje presidenti.

Moska tha më 15 nëntor se po përcjell “krizën” me shqetësim dhe u bëri thirrje shtetasve rusë që të shmangin udhëtimin për në Abkazi.

Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90.

Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse e zmbrapsën një tentim të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte pesëditore në verën e vitit 2008, e cila mbaroi me disfatën e Gjeorgjisë.

Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë, por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Moska, e cila ua paguan rrogat administratës publike dhe përfitimet sociale banorëve të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG