Ndërlidhjet

Pas dhunës në Bregun Perëndimor tensionohet situata në kufirin Gaza-Izrael


Gjurmë tymi shihen në qiell, ndërsa raketat nga Gaza janë kapur mëngjesin e së enjtes, siç shihet nga Ashkeloni, Izrael. 23 shkurt 2023.
Gjurmë tymi shihen në qiell, ndërsa raketat nga Gaza janë kapur mëngjesin e së enjtes, siç shihet nga Ashkeloni, Izrael. 23 shkurt 2023.

Militantët në Gaza hodhën raketa dhe Izraeli kreu sulme ajrore përgjatë kufirit Gaza- Izrael të enjten, një ditë pasi 11 palestinezë u vranë gjatë një sulmi izraelit në Bregun Perëndimor, duke ripërtërirë shqetësimet për përshkallëzim më të gjerë të situatës.

Egjipti dhe Kombet e Bashkuara janë angazhuar si ndërmjetësues për ta qetësuar situatën, thanë zyrtarët.

Ushtria izraelite tha se gjatë natës se gjashtë raketa janë lëshuar nga Rripi i Gazës, duke ndezur sirenat e sulmit ajror në komunitetet jugore izraelite. Pesë raketa janë rrëzuar, ndërsa një tjetër ka rënë në një zonë të hapur, por nuk raportohet për të lënduar.

Fraksioni militant palestinez Xhihadi Islamik nuk e mori drejtpërdrejt përgjegjësinë për sulmin me raketa të enjten, por tha se kishte të drejtë të mbrohej kundër agresionit izraelit.

Avionët luftarakë izraelitë kishin goditur më vonë një vend të prodhimit të armëve që i përkiste Hamasit, grupit islamik që kontrollon Gazën, tha ushtria izraelite, por nuk është raportuar për të lënduar.

Sulmet ndërkufitare pasuan një operacion izraelit në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor të mërkurën. Trupat izraelite kishin vrarë 11 palestinezë, duke përfshirë të paktën katër persona të armatosur dhe katër civilë, dhe plagosën më shumë se 100 njerëz, thanë burimet palestineze.

Ushtria izraelite tha se trupat atje kishin tentuar të arrestonin militantë të dyshuar për planifikimin e disa sulmeve.

Xhihadi Islamik tha se trupat izraelite kishin rrethuar dy nga komandantët e saj të Nablusit në një shtëpi, duke shkaktuar një përleshje që tërhoqi edhe persona të tjerë të armatosur. Shpërthimet u dëgjuan dhe të rinjtë gjuajtën me gurë mjetet e blinduara të trupave.

Burimet palestineze thanë se dy komandantët e Xhihadit Islamik ishin vrarë së bashku me një tjetër person të armatosur, si dhe katër viktima civile, përfshinin një burrë 72-vjeçar dhe një djalë 14-vjeçar, thanë ata.

"Unë po vazhdoj angazhimin tim me të gjitha palët e interesuara për të shtensionuar situatën. U bëj thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga hapat që mund të ndezin më tej një situatë tashmë të paqëndrueshme", tha i dërguari i OKB-së, Tor Wennesland në një deklaratë.

Grupet palestineze në Jerusalem, Bregun Perëndimor dhe Gaza bënë thirrje për një grevë të përgjithshme të enjten. Shkollat, universitetet dhe bankat në Gaza nuk u hapën pasi aktivistët dolën në rrugë duke u bërë thirrje bizneseve të qëndrojnë të mbyllura.

Gjashtëdhjetë e dy palestinezë, përfshirë persona të armatosur dhe civilë, janë vrarë në vitin 2023, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë. Dhjetë izraelitë dhe një turist ukrainas vdiqën në sulmet palestineze në të njëjtën periudhë, sipas Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG