Ndërlidhjet

Teleskopi evropian, gati ta eksplorojë “universin e errët”


Fotografi ilustruese. Foto nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s.
Fotografi ilustruese. Foto nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s.

Një teleskop hapësinor evropian do të niset nga Florida e SHBA-së më 1 korrik në një kërkim për të gjetur përgjigjen në një nga pyetjet më të mëdha në shkencë: nga çfarë përbëhet Universi?

Misioni Euklid do ta bëjë një hartë të madhe tredimensionale të kozmosit në një përpjekje për të zbuluar disa nga vetitë e të ashtuquajturave materie dhe energji e errët.

Së bashku, këto dukuri besohet se kontrollojnë formën dhe zgjerimin e gjithçkaje që gjendet në univers.

Megjithatë, studiuesit pranojnë se nuk dinë pothuajse asgjë rreth tyre. As materia e errët, as energjia e errët nuk mund të detektohen direkt.

Ky hendek i madh në njohuritë e njerëzimit do të thotë se ne nuk mund ta shpjegojmë me të vërtetë origjinën tonë, thotë profesoresha Isobel Hook.

Vështrimet e teleskopit Euklid paraqesin gjasat më të mira për të shkuar drejt të kuptuarit të kësaj origjine, beson astronomja në Universitetin Lancaster të Mbretërisë së Bashkuar.

“Do të jetë si të nisesh në një anije para se njerëzit ta dinin se ku kishte tokë në anët e ndryshme [të planetit]. Ne do ta hartojmë universin në përpjekje për ta kuptuar se ku përshtatemi me të dhe si kemi arritur këtu”, tha ajo për BBC News.

Teleskopi Euklid, 1.4 miliardë eurosh, pritet të niset në orën 5:12 më 1 korrik. Ai do të dërgohet në një pozicion vëzhgimi rreth 1.5 milion kilometra larg nga Toka, në anën e kundërt të planetit me Diellin.

Edhe pse ky projekt është i drejtuar kryesisht nga Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA), misioni ka të dhëna të rëndësishme shkencore dhe inxhinierike edhe nga agjencia hapësinore amerikane (NASA).

Eksperimentet e mëparshme kanë sugjeruar që energjia e errët përbën rreth 70 për qind të të gjithë energjisë në Univers; materia e errët rreth 25 për qind; ndërsa e gjithë materia e dukshme – si yjet, gazin, pluhurin, planetët dhe njerëzit – përbën rreth 5 për qind.

Për ta zbërthyer natyrën e energjisë dhe materies së errët, teleskopi Euklid do të kryejë një hulumtim gjashtëvjeçar.

Detyrë kryesore e tij do të jetë hartimi i shpërndarjes së materies së errët, materie kjo që nuk mund të detektohet drejtpërdrejt, por që astronomët e dinë se ndodhet atje për shkak të efekteve të gravitetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG