Ndërlidhjet

“Telekom Serbia” nuk mirëpritet në Shqipëri


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Operatori telefonik serb “Telekom Serbia” ka bërë zyrtarisht të ditur se është në bisedime për të blerë operatorin e dytë më të madh në Shqipëri, “Telekom Albania”.

Ata përmes një deklarate në mediat e Serbisë kanë thënë se “‘Telekom Serbia’ synon që të pozicionohet si një lider rajonal në fushën e telekomunikacioneve. Ne e kemi dorëzuar një ofertë e cila është në shqyrtim”.

Megjithatë, në Shqipëri, edhe pse operatori serb besohet të jetë ofertuesi më i lartë nga tre sa janë gjithsej, një transaksion i mundshëm nuk është mirëpritur nga Qeveria, me kryeministrin i cili tha se “investimi i Serbisë në këtë sektor nuk është preferenca jonë”.

Në një konferencë për media, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Qeveria shqiptare nuk është pjesë e transaksionit që do të kryejë një kompani private si “Deutsche Telekom”, e cila ka një strategji tërheqjeje nga tregjet e vogla, mirëpo megjithatë për shkak te rëndësisë së këtij sektori strategjik, kërkohet edhe mendimi i saj.

“Por natyrisht ky është një sektor strategjik dhe Qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet një mendim nga vetë ata që janë të interesuar. Dhe qëndrimi i qeverive shqiptare është shumë i thjeshtë dhe i qartë se bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, tha kryeministri Rama.

Çështja e mundësisë së blerjes së telekomit shqiptar nga ana e kompanisë serbe ka ngjallur debate të shumta në të dyja vendet. Në Shqipëri, ekspertë të sigurisë kanë ngritur shqetësimin se të dhënat personale të shqiptarëve do të bien në duar të Serbisë e cila vazhdon të ketë konteste të pazgjidhura me shqiptarët në Ballkan.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq pati deklaruar më 6 tetor se një refuzim i mundshëm i kapitalit serb në Shqipëri nuk është mesazh i mirë që dërgon shteti shqiptar. Ndërsa të hënën, presidenti Vuçiq tha se do të bisedojë me kryeministrin Rama lidhur me këtë çështje.

“Mendoj se ‘Telekomi i Serbisë’ dëshiron të blejë resurset e ‘Deutsche Telekom’ në Shqipëri, por ministri i Telekomunikacionit të Shqipërisë ka thënë se nuk pajtohet me këtë duke thënë se Serbia nuk është e mirëseardhur për investime në këtë pjesë të telekomunikacionit. Unë do të flasë me Edi Ramën sot ose nesër dhe shpresoj se do te tejkalojmë këtë situate", ka thënë presidenti Vuçiq.

Nga ana ligjore, teknikisht Qeveria e Shqipërisë nuk ka rol në një transaksion të mundshëm mes dy kompanive private. Ajo nuk mund të ndalojë blerjen e “Telekom Albania” nga “Telekom Serbia”, nëse dy kompanitë do të arrinin marrëveshjen sepse shteti nuk ka asnjë të drejtë pronësie mbi të.

“Telekom Albania”, pronë e “Deutsche Telekom” është operatori i dytë më i madh i telekomunikimeve në vend, duke zotëruar 24% të tregut në Shqipëri. Për vitin e kaluar, kompania ka raportuar një humbje prej rreth 36 milionë eurosh, pas një fitimi minimal prej 1.2 milion eurosh që raportoi në vitin 2016. Tregu i vogël dhe rezultatet e dobëta financiare duket se janë arsyet se “Deutsche Telekom” do të largohet nga Shqipëria, duke e nxjerrë kompaninë në shitje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG