Adhuruesit e filmit dhe teatrit në Kosovë, në disa qytete i kanë mundësitë e kufizuara të ndjekin shfaqjet apo filmat, qofshin ato vepra të reja të kinematografisë apo edhe filmat e tyre të preferuar. Një gjendje e tillë, vjen si pasojë e faktit që në Kosovë, në disa qytete, kenamatë dhe teatrot janë pjesërisht funksionale.
Dramaturgu Jeton Nerziraj tha për Radion Evropa e Lirë se publiku kosovarë duket më i interesuar për teatër sesa për kinema, edhe pse në Kosovë ka teatro të cilat nuk janë funksionale gjatë tërë vitit. Sipas Nezirajt, kinematë në Kosovë shfaqin më shumë filma ndërkombëtarë, pasi që prodhimtaria e filmave vendorë është e limituar.
“Në nivel të përgjithshëm ose në nivel të shikueshmërisë, duke të teatri megjithatë është më atraktiv dhe publiku ka shumë më shumë interes për teatrin sesa për kinemanë. Kjo ndodhë edhe për faktin se në Kosovë, megjithatë ka së paku katër apo pesë teatro që janë funksionalë. Ndërkohë që në nivel të kinemasë, është kryesisht e reduktuar tek kinematografia e huaj e cila vjen përmes filmave që shfaqen në kinema, ndërkohë që prodhimtaria vendore e dimë që është e limituar. E tek teatri është pak më ndryshe”, tha Neziraj.
Arsyeja e interesimit më të madh për teatrin sesa për filmin, sipas Nezirajt është se në Kosovë nuk ka infrastrukturë kinematografike.
Gjithashtu, dramaturgu Neziraj përmendi edhe faktin që në Kosovë është rritur numri i grupmoshës së re që shkojnë në teatër për të ndjekur shfaqjet e ndryshme, e që sipas tij, kjo gjë është tejet pozitive.
Video nga arkivi: Mungesa e aktiviteteve, mban të rinjtë nëpër kafiteri
“Teatri në Kosovë vërtetë mund të konsiderohet si fenomen, për faktin se këtu frekuentohet kryesisht ose ndoshta 90 për qind prej grup moshave të reja. Këtë gjë duhet ta konsiderojmë si potencial edhe si favor të jashtëzakonshëm që ky publik i bën teatrit në Kosovë”, bëri të ditur Neziraj.
Drejtori i teatrit të qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi tha për Radion Evropa e Lirë se në teatrin e Gjilanit ka pasur rritje të dukshme të shikuesve që nga viti i kaluar, e që sipas tij, e tërë kjo është meritë e repertorit të pasur të shfaqjeve, duke filluar nga ato për të rritur e deri tek fëmijët.
“Kemi pasur rritje të vizitave, shikueshmërisë, krahasuar me të kaluarën. Duke konsideruar faktin që ky numër është rritë pikërisht për shkak të repertorit që e kemi publikuar dhe qytetarët ishin të njoftuar me orarin e shfaqjeve dhe aktiviteteve që ndodhin në teatër”, bëri të ditur Zymberi.
Sipas Zymberit, ajo që më së shumti ka pasur sukses është se numri i të rinjve të qytetit të Gjilanit që kanë shkuar në teatër, është rritur.
“Mosha që më kënaq shumë dhe më zgjon shumë interesim dhe na ndihmon janë pikërisht të rinjtë. Po flas për moshën 18 deri në moshën 30 vjeç, përafërsisht kjo moshë është që më së shumti e frekuentojnë teatrin,” tha Zymberi.
Gjithashtu, sipas drejtorit të teatrit të Gjilanit, gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar për shfaqjet që janë luajtur janë shitur rreth 3500 bileta.
Në anën tjetër, për sa i përket dashamirëve të filmave, në Prishtinë është kinemaja CIneplexx e cila ofron llojllojshmëri të filmave, duke filluar nga ata vendorë dhe ndërkombëtarë.
Menaxheri i marketingut të kësaj kinemaje, Dëfrim Puka, tha për Radion Evropa e Lirë se viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm për kinemanë, pasi që sipas tij, në Cineplexx janë shitur rreth 338 mijë bileta, por, gjithmonë filmat ndërkombëtarë prijnë në shikueshmëri, në krahasim me ata kosovarë.
“Në kinemanë Cineplexx, gjatë vitit 2018 i kemi pasur vetëm tre filma vendorë në total, jo pse ne nuk kemi dashur të shfaqim më shumë, por këta ishin filmat që na i kanë ofruar dhe kemi bërë marrëveshje që t’i shfaqim në kinema,” tha Puka.
Në Kosovë vetëm kryeqyteti i Prishtinës, qyteti i Prizrenit dhe Peja kanë kinema funksionale.