Milot Mustafa, ushtrues detyre i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se gjatë stinës së verës, ky institucion nuk do të ofrojë asgjë për publikun, pasi do të jetë i mbyllur për dy muaj.
Por, ai shton se edhe gjatë vitit, shikueshmëria e shfaqjeve nga publiku nuk është e kënaqshme.
Radio Evropa e Lirë: Çka ofron Teatri Kombëtar gjatë verës?
Milot Mustafa: Gjatë verës Teatri kombëtar është në pushim, është kohë e vdekur. Nuk ka aktivitet teatrore, për shkak që nuk ka publik. Nuk ka interesim publiku që të vijë të shikojë shfaqje, kryesisht shkojnë në pushime verore, bëjnë plane tjera dhe aktivitete të tjera. Kështu që, edhe ne si teatër jemi në pushim për dy muaj. Pas dy muajve planifikojmë të dalim me premiera, njërën e kemi veç gati, në fillim të shtatorit do ta prezantojmë premierën. Edhe dy shfaqje të tjera të cilat do të fillojnë të përgatiten, për pjesën e dytë të vitit.
Radio Evropa e Lirë: Sa ka vizitorë Teatri Kombëtar I Kosovës?
Milot Mustafa: Nuk është shumë i kënaqshëm numri i vizitorëve, vitet e fundit ashtu si i kam parë raportet, ka pasur një ngritje të shikueshmërisë. Por, besoj se me një punë pak më serioze në marketing dhe me shfaqje më cilësore - nuk po them që nuk kanë qenë cilësore, ishin cilësore shumë - besoj se do të ketë hapësirë që të rritet shikueshmëria edhe publiku në Teatrin Kombëtar.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kushtet brenda teatrit?
Milot Mustafa: Kushtet brenda teatrit nuk janë edhe ku me ditë sa të kënaqshme. I kryejnë nevojat elementare.Për nevojat teatrore ka nevojë për investime sidomos në infrastrukturë, ka kaluar një kohë shumë e gjatë që nuk ka pasur investime serioze në objektin e teatrit, por jemi duke planifikuar që t’i bëjmë disa intervenime emergjente, për shkak se nuk e kemi ndonjë plan ose projekt që të bëjmë një investim masiv në tërë objektin e teatrit.
Radio Evropa e Lirë: Sa keni qëndrueshmëri financiare ?
Milot Mustafa: Institucionet e kulturës financohen nga buxheti i shtetit, me veprimtari të veçanta të cilat me Kushtetutë, shteti është i obliguar që të ju ndajë buxhet, kështu që nuk është problem buxheti. Ka nevojë që të rritet buxheti i teatrit dhe ka nevojë që të përcaktohet qartë, mënyra e financimit të teatrit. Sepse deri tash të gjitha institucionet e kulturës financohen me anë të subvencioneve, është e njëjtë me OJQ-të se si financohen ato, dhe mendoj nuk është praktikë e mirë as për realizim të programit as për shpenzim të mjeteve, do të thotë jemi institucion shpenzojmë mjete si OJQ.
Nuk e kemi shumë mirë të rregulluar, jo veç teatri por asnjë nga institucionet e kulturës, nuk e kanë të rregulluar pjesën financiare ashtu si duhet dhe ashtu si është e përcaktuar me ligj. Sepse me Ligj të teatrit thuhet se teatri e ka buxhetin e vet dhe e menaxhon vet, që realisht nuk është duke ndodhur ashtu.
Radio Evropa e Lirë: Cilat kanë qenë shfaqjet e fundit që jeni prezantuar jashtë Kosovës?
Milot Mustafa: Shfaqjet e fundit që kanë qenë, që janë prezantuar jashtë Kosovës janë “Eshtrat që vijnë vonë” dhe “I lindur për mend’”. Mendoj që janë pak që të dalin vetëm dy shfaqje nga teatri për t’u prezantuar jashtë Kosovës. Në Shqipëri edhe në Bosnjë, është shumë pak që të prezantohen vetëm në dy vende.
Po e bëj edhe një krahasim me institucionet e tjera të kulturës, për shembull është “Ansambli Shota”, që ka buxhet sa gjysma e teatrit, dhe i ka të paktën dy prezantime jashtë nëpër botë dhe në rajon i ka deri në 8-9 prezantime si në Shqipëri, Mal të zi, Maqedoni edhe në Serbi. Mendoj që është shumë pak për teatrin.
Radio Evropa e Lirë: A ka Teatri Kombëtar i Kosoves bashkëpunim me teatrot e vendeve të rajonit?
Milot Mustafa: Ka bashkëpunim, kryesisht në letra, praktikisht nuk ka bashkëpunim. Nuk jam shumë në dijeni që është ndonjë projekt duke u realizuar konkretisht. Marrëveshjememorandumi ka, por sa janë implementuar nuk e di. Nuk kam parë ndonjë aktivitet konkret, ndonjë projekt konkret.