Ndërlidhjet

Katër të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një festë ditëlindjeje në Francë


Pjesëtarë të policisë franceze. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Pjesëtarë të policisë franceze. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Katër persona, duke përfshirë edhe sulmuesin, u vranë të shtunën vonë, pasi një person hapi zjarr në një festë ditëlindjeje në një fshat në Francë, thanë autoritetet, raporton AFP.

Sulmuesi iu afrua shtëpisë ku një 20-vjeçar po festonte ditëlindjen me familjen e tij në Espinase-Vozelle. Ky fshat me rreth 1.000 banorë gjendet rreth 60 kilometra në veri të Klermont-Ferrand.

Ai hapi zjarrin ndaj personave që po merrnin pjesë në festë, duke vrarë tre prej tyre. Ai më pas vrau veten, thanë autoritetet lokale.

Në mesin e të vrarëve është i riu që po festonte ditëlindjen dhe babai i tij.

Policia ende po mbledh informacione për sulmin, thanë autoritetet.

Jerome Piques, një prokuror lokal, i tha AFP-së se burri, i cili nuk ishte në mesin e të ftuarve të festës, iu afrua shtëpisë fqinje përmes një shtegu që lidhte të dy pronat rreth orës 21:30 përpara se të qëllonte me armën e tij.

Katër persona u shtruan në spital pasi u plagosën nga të shtënat, por lëndimet e tyre nuk përbëjnë kërcënim për jetë, tha ai.

Pesëmbëdhjetë të tjerë, të cilët ishin dëshmitarë të të shtënave, janë duke u trajtuar nga psikologët.

“Është tronditëse”, i tha AFP-së Michel Marien, kryebashkiaku i Espinase-Vozelle. “Ne nuk e dimë se çfarë e shkaktoi këtë, se si një person humb kontrollin dhe bën diçka të tillë”.

Policia tha se sulmuesi, rreth të 50-tave, nuk kishte pasur precedent të mëparshëm penal.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG