Ndërlidhjet

Çka duan të rinjtë në Kosovë?


Disa të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se do të donin të shihnin më shumë angazhim nga institucionet e vendit, që do t’iu siguronte një të ardhme më të sigurt.

“Kam shumë piktura dhe kurrë nuk kam pasur rast t’i prezantoj diku. Do të doja që institucionet të krijojnë më shumë hapësirë për ne të rinjtë”, thotë Dea Gashi.

Dea është nga Krusha e Madhe e Rahovecit - mbi 60 kilometra larg Prishtinës.

Këtë vit, ajo nis studimet për pikturë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Dea Gashi nga Krusha e Madhe, studente e saporegjistruar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Dea Gashi nga Krusha e Madhe, studente e saporegjistruar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

“Do të doja t’i kem dyert e hapura nga institucionet dhe të më jepet hapësirë për të prezantuar punën time në të ardhmen”, thotë Dea, e gëzuar që po nis një kapitull të ri.

Edhe të rinj të tjerë, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se do të donin të shihnin më shumë angazhim nga institucionet e vendit, që do t’iu siguronte një të ardhme më të sigurt.

Shaqir Fejzullahu, i cili studion për informatikë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, thotë se nuk ndihet shumë i sigurt se tregu i punës në Kosovë, do t’i ofrojë ndonjë vend pune, me pagë e kushte të mira.

“Për të rinjtë nuk ka perspektivë. E keqja është se shumica e kryejmë shkollimin, por vend pune në profesionet tona nuk gjejmë. Por, edhe nëse gjen punë dhe punësohesh, zhgënjehesh me pagën dhe kushtet e punës që të ofrohen”, thotë Shaqiri.

Shaqir Fejzullahu, student i informatikës në Universitetin e Prishtinës.
Shaqir Fejzullahu, student i informatikës në Universitetin e Prishtinës.

Kosova ka një popullsi të re, me një moshë mesatare 35 vjeçe.

Papunësia është në shkallën mbi 16 për qind dhe prek më së shumti të rinjtë.

Në tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e papunësisë te të rinjtë ka qenë mbi 30 për qind.

Erjona Shala pret të regjistrohet në një universitet privat në Prishtinë, pasi nuk ka arritur të regjistrohet në universitetin publik.

Erjona Shala duke pritur të regjistrohet në një universitet privat në Prishtinë.
Erjona Shala duke pritur të regjistrohet në një universitet privat në Prishtinë.

Ajo do të studiojë për dizajn grafik. Prej tash, ajo mendon të largohet nga Kosova, nëse, siç thotë, nuk i ofrohen kushte të mira për të zhvilluar profesionin e saj.

“Unë mendoj t’i përfundoj studimet në Kosovë, por nëse nuk arrij të gjej një punë me kushte të mira dhe pagë të mirë, nuk do të qëndrojë këtu”, thotë ajo.

Paga mesatare bruto në Kosovë është 520 euro. Vitin 2022, Kosova e ka mbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

Për shumë të rinj në Kosovë, migrimi në një vend tjetër evropian shihet si rrugëdalje.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave në vend (ASK), vetëm gjatë vitit 2021 nga Kosova kanë emigruar mbi 42 mijë persona.

Lirim Malaj është 23 vjeç. Ai jeton në Francë, por vendlindjen e tij, Kosovën, e viziton shpesh, pasi ka shumë të afërm dhe miq.

Lirim Malaj, student në Francë. Ai ka ardhur për vizitë në Kosovë.
Lirim Malaj, student në Francë. Ai ka ardhur për vizitë në Kosovë.

Duke bërë një krahasim me vendin ku ai jeton, thotë se të rinjve në Kosovë iu mungon perspektiva.

“Të rinjtë në Kosovë duhet të motivohen më shumë për punë, rrogat të rriten. Atyre që nuk kanë mundësi të shkollohen, t’iu ofrohen mjete financiare dhe t’i vazhdojnë studimet... edhe jashtë vendit”, thotë Lirimi.

Elona Shaqiri, 20-vjeçare, thotë se në Kosovë duhet të ketë më shumë siguri për të rinjtë.

Elona Shaqiri është 20-vjeçare. Ajo kërkon më shumë siguri.
Elona Shaqiri është 20-vjeçare. Ajo kërkon më shumë siguri.

“Të ketë kontrolle për alkoolin e jo të shitet [për personat] nën moshën 18-vjeçare”, është një kërkesë e saj.

Për të adresuar problemet, por edhe fuqizimin e të rinjve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës është në proces të hartimit të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të Veprimit 2024-2026.

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj ministrie thonë se kjo strategji do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për Qeverinë karshi rinisë - ku secila ministri dhe institucion do të përcaktojë rolin e vet.

“Sipas konsultimeve të deritanishme, pika të cilat konsiderohen të domosdoshme për të investuar në të rinjtë, janë: shëndeti mendor, qasja në arsim cilësor dhe punësim, liria e shprehjes, dhuna, ngacmimet dhe siguria publike, si dhe përfshirja e të rinjve me aftësi të kufizuara”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Po sipas saj, strategjia do të trajtojë edhe integrimin e diasporës dhe ndërlidhjen mes të rinjve nga diaspora dhe të rinjve në Kosovë, ndërsa do të promovojë edhe pjesëmarrjen ndërkombëtare në ngjarje rinore, kulturore, arsimore dhe sportive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG