Ndërlidhjet

Dy të plagosur nga sulmi i armatosur në Beograd në gjendje kritike


Shkolla ku ndodhi sulmi.
Shkolla ku ndodhi sulmi.

Pesë persona të lënduar në sulmin e armatosur që ndodhi të mërkurën në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Beograd, janë në gjende të qëndrueshme shëndetësore, ndërkohë që një fëmijë është në gjendje kritike por me shenja përmirësimi, ndërsa një fëmijë tjetër është në gjendje kritike dhe është në rrezik për jetën, thanë udhëheqësit e institucioneve shëndetësore në Serbi.

Drejtoresha e Qendrës Klinike Universitare të Serbisë, Milika Ashanin, tha se gjendja shëndetësore e dy nxënësve dhe një mësueseje është shumë më e mirë, raporton mediumi lokal Beta.

Pacienti i katërt, siç tha Ashanin, ishte sjellë në Qendrën Klinike si i plagosuri më i rëndë, me plagë me armë zjarri në kraharor, qafë dhe shtyllë kurrizore.

“Dje [e mërkurë] e kaloi gjithë ditën në sallën e operacionit, ishin dy operacione. Është më mirë, është zgjuar, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe duhet ta kualifikojmë sikur situata të jetë kritike”, tha Ashanin.

Ajo tha se për të enjten janë planifikuar një sërë kontrollesh, për të përcaktuar efektet e operacioneve të kryera një ditë më parë.

Drejtori i Klinikës Universitare të Fëmijëve në Tirshovë, Sinisha Duçiq, tha se nga tre pacientë në atë klinikë, dy djem me plagë nga armë zjarri në këmbë janë mirë dhe në gjendje të qëndrueshme, duke marrë terapi me antibiotikë dhe se mund të lirohen në shtëpi ditët në vijim.

"Vajza e cila iu nënshtrua një operacioni urgjent dje [të mërkurën] për shkak të lëndimeve në kokë është në rrezik për jetën, mbetet në gjendje kritike. Mjekët po bëjnë gjithçka për ta mbajtur në jetë, por gjendja e saj e përgjithshme është shumë e rëndë dhe është në rrezik për jetën", tha Duçiq dhe shtoi se për momentin nuk është planifikuar ndonjë operacion tjetër.

Tetë fëmijë dhe një roje u vranë mëngjesin e së mërkurës në një sulm të armatosur nga një nxënës 13 vjeç në shkollën fillore "Vladislav Ribnikar" në qendër të Beogradit.

Gjashtë nxënës dhe një mësuese u plagosën, sulmuesi u arrestua.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG