Ndërlidhjet

Përplasje në SHBA për ligjin për abortin


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do ta kundërshtojë fuqishëm ligjin e ri në shtetin e Teksasit, i cili ndalon shumicën e aborteve.

Biden e cilësoi vendimin e Gjykatës Supreme të SHBA-së për të mos e bllokuar ligjin si një “sulm të paparë” mbi të drejtat e grave.

Çdo individ tani ka të drejtë të padisë këdo që përfshihet në sigurimin ose lehtësimin e abortit pas gjashtë javëve shtatzëni në Teksas.

Gjatë kësaj kohe, shumë gra as që e dinë se janë shtatzënë.

Grupet e të drejtave të njeriut i kërkuan Gjykatës Supreme ta bllokojë ligjin, por ajo refuzoi, duke votuar me pesë vota në favor të ligjit dhe katër kundër.

Gjykatësit thanë se vendimi i tyre nuk bazohet në ndonjë përfundim nëse ligji i Teksasit është kushtetues ose jo dhe se dera për sfidat ligjore mbetet hapur.

Një pano para një klinike në Teksas, ku shkruan: "Aborti është legal. Klinika jonë është hapur".
Një pano para një klinike në Teksas, ku shkruan: "Aborti është legal. Klinika jonë është hapur".

Presidenti Biden akuzoi Gjykatën Supreme për “kaos jokushtetues”.

“Gjykata më e lartë e tokës sonë do të lejojë që miliona njerëz në Teksas që kanë nevojë për kujdes riprodhues, të vuajnë, derisa gjykatat të analizojnë kompleksitetin procedural”, tha Biden.

Ai tha se ka kërkuar nga Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore dhe nga Departamenti i Drejtësisë të shohin se çfarë hapash mund të ndërmarrë Qeveria kombëtare për të mbrojtur gratë dhe ofruesit e shërbimeve të abortit, por nuk dha më shumë detaje.

Biden tha se ligji shkel rastin historik Roe v Wade të vitit 1973, me të cilin Gjykata Supreme legalizoi abortin në të gjithë SHBA-në.

Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, tha se shteti i tij “gjithmonë do ta mbështesë të drejtën për jetë”. Ai e nënshkroi ligjin për abortin në muajin maj.

Ligji i quajtur Akti i Rrahjeve të Zemrës i ndalon abortet pas zbulimit të rrahjeve të zemrës së fetusit, thonë kritikët e abortit.

Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve thotë se termi “rrahje zemre” nuk është i saktë, pasi ajo që zhvillohet gjatë gjashtë javëve shtatzëni është “një pjesë e indit të fetusit që do të bëhet zemër derisa embrioni zhvillohet”.

Ligji bën përjashtime në rast të urgjencës mjekësore, por kërkon prova me shkrim nga mjeku. Ligji nuk bën përjashtime për shtatzënitë që rezultojnë nga përdhunimi ose incesti.

Gratë nga Teksasi që dëshirojnë të abortojnë pas gjashtë javësh, do të duhet të udhëtojnë në shtete të tjera të SHBA-së.

Çfarë është Roe v Wade?

Abortet u bënë të ligjshme në të gjithë SHBA-në me një vendim historik të Gjykatës Supreme më 1973, i cili njihet si rasti Roe v Wade.

Me shtatë vota për dhe dy kundër, gjyqtarët e gjykatës vendosën se qeverive individuale të shteteve u mungon fuqia për të ndaluar abortet.

Aktgjykimi u bazua në vendimin se e drejta e një gruaje për të ndërprerë shtatzëninë bie nën lirinë e zgjedhjes personale, e cila mbrohet me Amendamentin e 14 -të të Kushtetutës amerikane.

Vendimi erdhi pasi një grua 25-vjeçare, Norma McCorvey, me pseudonimin “Jane Roe”, sfidoi ligjet penale të abortit në Teksas, që ndalonin shumicën e aborteve.

Henry Wade ishte prokurori i përgjithshëm i Teksasit, i cili mbrojti ligjin kundër abortit.

Rasti krijoi një sistem “tremujor” që:

  • u jep grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë;
  • lejon disa rregullime qeveritare në tremujorin e dytë të shtatzënisë;
  • deklaron se shtetet mund të kufizojnë ose ndalojnë abortet në tremujorin e fundit, pasi fetusi i afrohet pikës ku mund të jetojë jashtë mitrës.
Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG