Ndërlidhjet

Talibanët intensifikojnë shtypjen e kundërshtarëve në Afganistan


Luftëtarët talibanë gjatë një ceremonie në Kabul. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Luftëtarët talibanë gjatë një ceremonie në Kabul. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Talibanët kanë arrestuar një ish-politikan, një gazetar dhe një regjisor në ditët e fundit në Afganistan, sipas të afërmve të tyre.

Arrestimet përbëjnë një përshkallëzim të madh të shtypjes së grupit ekstremist ndaj disidencës, një fushatë e dhunshme që ka shënjestruar gazetarët, aktivistët dhe figurat politike.

Personi i fundit i shënjestruar në këtë fushatë shtypjeje ishte Sayyed Rahim Saeedi, producent televiziv dhe regjisor me bazë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Familjarët e Saeedit, të cilët folën në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes, i thanë Radios Azadi të Radios Evropa e Lirë se anëtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Inteligjencës – inteligjenca famëkeqe e talibanëve – e arrestoi atë dhe djalin e tij më 20 korrik.

Djali i tij u lirua një ditë më pas, thanë të afërmit.

Nuk është e qartë se pse u arrestuan. Vendndodhja e regjisorit mbetet e panjohur dhe talibanët nuk kanë komentuar për arrestimin e tij.

Ndërkaq, talibanët arrestuan edhe Rohullah Rauf, ish-kreun e këshillit provincial rë provincës verilindore të Takharit, tha një burim i afërt me të, i cili foli në kushte anonimiteti për Radion Azadi.

Burimi tha se Rauf u arrestua nga talibanët pasi u kthye në shtëpinë e tij pas lutjeve të së premtes më 19 korrik. Sipas burimit, është e paqartë pse ai u arrestua.

Mowloda Tawana, aktiviste afgane për të drejtat e njeriut, tha se arrestimi i Raufit tregon se talibanët nuk janë të përkushtuar për amnisti, për të cilën ata njoftuan pak pasi morën pushtetin më 2021.

Amnistia e përgjithshme përfshinte të gjithë zyrtarët amerikanë, forcat e sigurisë dhe individët që kishin bashkëpunuar me praninë e larguar ushtarake në Afganistan, që udhëhiqej nga Shtetet e Bashkuara.

Por, vëzhguesit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar raste të shumta të hakmarrjes, përshirë vrasjet e paligjshme dhe tortura.

Ndërkaq, gazetari i pavarur Mohammadyar Majrooh u arrestua nga talibanët në qytetin jugor të Kandaharit, thanë të afërmit e tij.

Të afërmit e Majrooh thanë se gazetari u arrestua më 12 korrik. Sipas tyre, vendndodhja e tij është e panjohur.

Majrooh ishte arrestuar edhe në shkurt të vitit 2023 teksa po punonte në një storie për kanalin privat, Tolo News.

Në një deklaratë të publikuar më 17 korrik, Qendra e Gazetarëve të Afganistanit – një organizatë lokale për mediat – kërkoi që Majrooh të lirohej “pa vonesa të mëtejme dhe pa parakushte”.

Hamid Obaidi, kryetari i Organizatës për Mbështetjen e Gazetarëve në Afganistan – një tjetër organizatë lokale për të drejtat e mediave – tha se “arrestimet e paligjshme dhe ngacmimet e gazetarëve përbëjnë shkelje të lirisë së shprehjes”.

“Ne i dënojmë fuqishëm këto arrestime”, tha Obaidi për Radion Azadi.

Agjencia e inteligjencës së talibanëve nuk iu përgjigj kërkesës për koment të bërë nga Radioa Azadi lidhur me arrestimet e fundit.

Që kur morën pushtetin në gusht të vitit 2021, talibanët kanë arrestuar dhe burgosur dhjetëra gazetarë, aktivistë dhe akademikë për shkak të kundërshtimit publik të politikave të tyre shtypëse.

Qindra gazetarë afganë u larguan nga shteti për shkak të frikësimit apo frikës nga ndjekja penale. Talibanët kanë ndaluar punën e disa transmetuesve ndërkombëtarë dhe kanë refuzuar vizat për gazetarët e huaj.

Si pjesë e sulmit të tyre ndaj disidencës, talibanët po ashtu kanë shtypur partitë politike dhe organizatat lokale joqeveritare. Vitin e kaluar, grupi militant ndaloi të gjitha grupet politike dhe organizatat joqeveritare.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG