Ndërlidhjet

Ndaleni këtë luftë "për hir të Zotit"


Sulmi në provincën Helmand.
Sulmi në provincën Helmand.

Khial Bibi ka humbur pesë fëmijët e saj dhe burrin në luftën në provincën Helmand në jug të Afganistanit, një bastion i talibanëve që ka qenë skenë e sulmeve të përgjakshme në mes të militantëve dhe forcave qeveritare për vite të tëra.

“Ne duam që të ndalet dhuna”, ka thënë Bibi brenda një tende në kryeqytetin provincial Lashkar Gah, ku qindra gra janë mbledhur për të protestuar kundër sulmeve të talibanëve dhe i kanë bërë thirrje grupit militant t’i japë fund kryengritjes 16 vjeçare kundër qeverisë.

“Jam duke kërkuar nga talibanët dhe qeveria që të punojnë së bashku për të arritur paqe” ka thënë Bibi e rrethuar nga dhjetëra gra dhe fëmijë.

“Për hir të Zotit, ju lutemi ndaleni këtë gjë”.

Gratë protestuese janë pjesë e të ashtuquajturës Lëvizja Popullore, e cila ka tërhequr qindra persona nga Helmandi, provincë e prodhimit të opiumit ku talibanët kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit.

Gratë kanë ngritur tendat e tyre të protestës afër zonës ku protestojnë burrat.

Pjesëmarrja e grave në ngjarje të tilla është e pazakonshme në jug të Afganistanit, një rajon konservativ i dominuar nga pashtunët, ku gratë kanë një rol të kufizuar në jetën publike.

Protestat kanë nisur dhe lëvizja është krijuar pasi një veturë e mbushur me eksplozivë ka shpërthyer në një stadium të sportit në Lashkar Gah, teksa spektatorët ishin duke u larguar nga ndeshja.

Në këtë sulm kanë vdekur 16 persona dhe janë lënduar 40 të tjerë, të gjithë civilë, kanë njoftuar zyrtarë lokalë.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 23 marsit, ndonëse dyshohet se kanë qenë talibanët.

Kampi protestues në Helmand
Kampi protestues në Helmand

​Sulmi vdekjeprurës ka nxitur pakënaqësi në mesin e banorëve të Helmandit.

“Shumica e grave që kanë ardhur për të protestuar këtu kanë humbur burrat e tyre, vëllezërit dhe djemtë”, ka thënë Husnia Ehsas, organizatore e protestës së grave.

“Ne nuk duam që gra të tjera të përjetojnë një gjë të tillë”.

Sipas raportit vjetor të Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, të paktën 3,438 civilë janë vrarë dhe 7,015 janë plagosur në konfliktet e vitit 2017.

Marshi paqësor

Organizatorët e protestës kanë njoftuar se planifikojnë të mbajnë një marsh nga Lashkar Gah për në Musa Qala, një distrikt i kontrolluar nga talibanët, për të kërkuar përfundimin e luftës.

Plani ka nxitur përgjigje nga talibanët, pasi zëdhënësi i tyre, Qari Yosuf Ahmadi, u ka bërë thirrje protestuesve përmes një deklarate më 28 mars që të demonstrojnë te bazat amerikane për t’i dhënë fund “okupimit aktual”.

Në deklaratë po ashtu është janë paralajmëruar protestuesit se talibanët “janë të shqetësuar thellë se qarqet armiqësore do të keqpërdorin emrin tuaj”.

“Zoti na ruajt, nëse diçka ndodhë atëherë përgjegjësia do të bartet në krahët tuaj sepse ju e kuptoni që ne jemi në luftë, ne jemi duke u përballur me komplote të armiqve dhe do të jemi të detyruar për të marrë hapa seriozë për të balancuar situatën”.

Marshi i planifikuar për datën 29 mars është anuluar për shkak të rreziqeve të sigurisë dhe dështimit të sigurimit të asaj se qeveria nuk do të intervenojë.

“Për hir të Zotit”

Muajin e kaluar, presidenti Ashraf Ghani u ka ofruar talibanëve mundësinë e krijimit të partisë së tyre politike dhe ka thënë se do të punojë në heqjen e sanksioneve ndaj këtij grupi, nëse u bashkohet negociatave për t’i dhënë fund luftës.

Në kthim të kësaj, militanët duhet ta njohin qeverinë e Kabulit dhe të respektojnë sundimin e ligjit.

Talibanët ende nuk kanë hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Ghanin, mirëpo kanë insistuar se ata dëshirojnë të negociojnë me Shtetet e Bashkuara, të cilat i konsiderojnë “forcë të huaj okupuese”.

Talibanët po ashtu kanë thënë se forcat e NATO-s duhet të largohen nga Afganisani para se të nisin negociatat.

Për shumë banorë në Helamand, fundi i konfliktit me dekada nuk duket afër.

“Unë jam udhëheqësja e familjes prej 14 personave”, ka thënë një grua protestuese në Lashkar Gah, e cila nuk ka dashur të identifikohet.

“Unë kam kunata, mirëpo asnjë djalë. Për hir të Zotit, ndaleni këtë luftë”, ka thënë ajo.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG