Talibanët e kanë shënuar përvjetorin e tretë të ngjitjes në pushtet në Afganistan përmes një parade ushtarake, pavarësisht se grupet ndërkombëtare të ndihmës vlerësojnë se në këtë shtet ekziston një prej krizave humanitare më komplekse.
Talibanët e kanë marrë kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabulit, më 15 gusht 2021, pas rënies së Qeverisë së përkrahur prej Shteteve të Bashkuara, dhe ikjes së liderëve prej vendit.
Qeveria e talibanëve vazhdon të mos njihet prej asnjë vendi në botë.
Kufizimet e vendosura ndaj grave janë një prej pikave më problematike, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë “aparteid gjinor”.
Ngjitja e talibanëve në pushtet shënohet në mesin e muajit gusht, periudhë e rënies së Kabulit, por edhe në fund të gushtit, kur janë larguar trupat e fundit ndërkombëtare prej Afganistanit.
Largimi i trupave ndërkombëtare më 2021, sipas një marrëveshjeje të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve më 29 shkurt 2020, u ka mundësuar talibanëve kthimin në pushtet pas 20 vjetëve.
Talibanët janë rrëzuar prej pushtetit në Afghanistan, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Parada ushtarake e 14 gushtit është mbajtur në bazën ajrore Bagram, rreth 40 kilometra larg Kabulit, ku dikur janë strehuar forcat ushtarake amerikane.
Pjesë e audiencës kanë qenë rreth 10.000 burra dhe asnjë grua.
Ushtarët janë parë me pajisje ushtarake të braktisura prej forcave amerikane dhe atyre të NATO-s: obusë dhe tanke.
Mohammad Hassan Akhund, i cili mban pozitën e kryeministrit, i ka lavdëruar talibanët, për siç ka thënë, fitoren e autoriteteve të talibanëve ndaj “pushtuesve perëndimorë”.
Sipas një deklararate të lëshuar prej zyrës së tij, ai ka thënë se Qeveria e talibanëve “e ka përgjegjësinë për zbatim të ligjit islamik, ruajtjes së pronës, jetës së njerëzve dhe për respektim të kombit tonë”.
Megjithatë, organizatat ndërkombëtare të ndihmës besojnë se miliona afganë përballen me “një prej krizave humanitare më të mëdha dhe më komplekse në botë, tri vjet pas ndryshimit të regjimit”.
Sipas tyre, 23.7 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë në Afganistanin me 40 milionë banorë.
Më shumë se 6.3 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda Afganistanit, ndërsa shifrat e papunësisë janë alarmante.
Gratë vlerësohet se vuajnë më së shumti prej këtij regjimi.
Prej ardhjes së talibanëve në pushtet, grave u është zvogëluar qasja në jetën publike – shumë vende pune, parqet dhe palestrat – si dhe u është ndaluar shkuarja në shkollë pas klasës së gjashtë.