Talibanët kanë arrestuar gra në kryeqytetin afgan për veshje të “hixhabit të keq”, u bë e ditur të enjten nga autoritetet.
Ky është konfirmimi i parë zyrtar i goditjes ndaj grave që nuk ndjekin kodin e veshjes të vendosur nga talibanët, që kur ata u kthyen në pushtet në vitin 2021.
Gratë dhe vajzat afgane tashmë po vuanin nga ndalesat në arsim, punësim si dhe qasje në hapësirat publike.
Zëdhënësi Abdul Ghafar Farooq, nuk tha se sa gra janë arrestuar apo çfarë nënkupton hixhab të keq.
Në maj të vitit 2022, talibanët nxorën një dekret që u bën thirrje grave që të shfaqin vetëm sytë e tyre dhe rekomandon që ato të mbajnë burkën nga koka deri te këmbët, ngjashëm me kufizimet gjatë sundimit të mëparshëm të talibanëve midis 1996 dhe 2001.
Farooq tha se gratë u arrestuan tri ditë më parë.
Ministria ka dëgjuar ankesa për mungesën e hixhabit të saktë të grave në kryeqytet dhe provinca për gati dy vjet e gjysmë, tha ai për Associated Press.
Zyrtarët e ministrisë rekomanduan gratë dhe i këshilluan që të ndiqnin kodin e veshjes. Oficerët e policisë femra u dërguan për të arrestuar gratë pasi ato nuk i zbatuan këshillat, shtoi ai.
"Këto janë ato pak gra që përhapin hixhabin e keq në shoqërinë islame”, tha ai.
“Ato shkelën vlerat dhe ritualet islame dhe inkurajuan shoqërinë dhe motrat e tjera të respektuara për hixhab të keq”, shtoi ai.
Policia do t'ia referojë çështjen autoriteteve gjyqësore ose gratë do të lirohen me kusht të rreptë, sipas Farooq.
"Në çdo krahinë, ata që lëvizin pa hixhab do të arrestohen," paralajmëroi ai.
Arrestimet vijnë më pak se një javë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së bëri thirrje për një të dërguar special për t'u angazhuar me talibanët, veçanërisht për çështje gjinore dhe të drejtat e njeriut.
Por talibanët e kritikuan idenë, duke thënë se të dërguarit e posaçëm i kanë "ndërlikuar më tej situatat përmes imponimit të zgjidhjeve të jashtme".
Të mërkurën vonë, ndërsa shprehu mbështetjen për një të dërguar të posaçëm për Afganistanin, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se Amerika mbetet e shqetësuar për "urdhrat represivë të talibanëve kundër grave dhe vajzave dhe mosgatishmërinë për të nxitur qeverisjen gjithëpërfshirëse".
Vendimet e marra rrezikojnë një dëm të pariparueshëm për shoqërinë afgane dhe i largojnë talibanët nga normalizimi i marrëdhënieve me komunitetin ndërkombëtar, shtoi Miller.