Ndërlidhjet

Talibanët i kërkojnë SHBA-së të rishqyrtojë vendimin për asetet e ngrira


Zyrtarë talibanë. Fotografi nga arkivi.
Zyrtarë talibanë. Fotografi nga arkivi.

Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Afganistan, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të rishqyrtojnë vendimin për asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Afganistanit dhe të përmbahen nga “veprime tjera provokative”.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për zhbllokuar 7 miliardë dollarët e fondeve afgane që mbahen në SHBA, duke thënë se ato mund të ndahen si kompensim për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe si ndihmë humanitare për shtetin.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndërrojnë pozicion dhe vazhdojnë veprimet provokative, Emiratet Islamike do të detyrohen të rishqyrtojnë politikat e veta ndaj këtij shteti”, kanë thënë talibanët përmes një deklarate të lëshuar të hënën.

Ata po ashtu u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara që të lirojnë fondet pa ndonjë kusht.

Vendimi i Bidenit ka nxitur zemërim në mesin e afganëve dhe ish-presidenti, Hamid Karzai e ka konsideruar atë “mizori” kundër shtetasve afganë.

Mediat lokale kanë raportuar se qindra persona kanë protestuar të martën në Kabul duke dënuar vendimin e Bidenit.

Politikanët afganë dhe akademikët kanë kërkuar që fondet e ngrira të mos përdoren për kompensim të viktimave të 11 shtatorit, sepse asnjë afgan nuk ka qenë i përfshirë në sulme dhe ato asete nuk duhet të përdoren për ndihma.

Besohet se Afganistani ka rreth 9 miliardë dollarë fonde të ngrira dhe 7 miliardë janë në Shtetet e Bashkuara.

Pjesa tjetër gjendet në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicër.

Më 11 shtator 2001, 19 anëtarë të rrjetit terrorist Al-Kaida kanë kryer sulmet më të rënda në tokën amerikane, duke lënë të vdekur gati 3,000 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG