Produktet për kujdes menstrual tatohen me 18 për qind në Kosovë. Aktivistet feministe e cilësojnë këtë taksë si të padrejtë, duke thënë se produktet menstruale janë esenciale, e jo luks.
Kjo taksë, e vendosur mbi produkte si pecetat sanitare dhe tamponët, shihet si diskriminuese, pasi prek vetëm gratë.
“Përveç besimit tonë të thellë që ato [produktet për kujdes menstrual] duhet të jenë falas për të gjitha gratë, çfarë është më e pakta që mund të bëjë Qeveria e Kosovës në këtë situatë, është heqja e taksës, për të ulur çmimet e produkteve menstruale”, thotë Leonida Molliqaj nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Veprim në Kosovë - QIKA.
Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në Kosovë përcakton dy norma të TVSH-së: normën standarde prej 18 për qind dhe normën e reduktuar prej 8 për qind për produktet esenciale. Disa nga produktet që tatohen me taksën 8 për qind, janë: buka, qumështi, vaji për gatim, drithërat, ilaçet dhe të tjerat që konsiderohen bazike.
Barrën më të madhe financiare nga kjo taksë e bartin gratë e papuna dhe ato nga grupet e margjinalizuara të Kosovës, thotë Molliqaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, në mungesë të mjeteve financiare për këto produkte, gjetja e alternativave mund të jetë e rrezikshme edhe për shëndetin e përgjithshëm.
“Shumë gra detyrohen të përdorin produkte të tjera, si sende shtëpiake, për të menaxhuar ciklin menstrual. Kjo, jo vetëm që përbën rrezik për shëndetin, por gjithashtu nxjerr në pah nevojën që produktet menstruale të trajtohen si një domosdoshmëri dhe jo si një luks”, thotë Molliqaj.
Kërkesat për heqjen e taksës
Vitin e kaluar, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes një fushate, rekomandoi heqjen e taksave nga produktet menstruale, duke nënvizuar “rëndësinë që merr kjo në rastin e Kosovës, ku vetëm 15.9% e grave janë të punësuara”.
Edhe QIKA, muaj më parë, organizoi një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Sipas Molliqajt, aksioni kishte dy qëllime:
“Ta luftojmë stigmën dhe ta promovojmë atë si çështje të shëndetit publik, por edhe ta heqim taksën që prek më shumë gratë e varfra dhe ato nga komunitetet pakicë, që nuk kanë mundësi financiare”.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Financave të Kosovës se a i ka marrë parasysh rekomandimet dhe kërkesat, si dhe sa të ardhura i shtohen buxhetit kombëtar nga tatimi që fitohet nga shitja e produkteve menstruale, por nuk mori përgjigje.
Në nivel institucional, një nismë në këtë drejtim erdhi nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila, në mes të shkurtit, njoftoi se në institucionin që ajo drejton, pecetat higjienike do të jenë falas për të gjitha punonjëset.
Haxhiu tha se një praktikë e tillë duhet të normalizohet, për t’i thyer tabutë që ekzistojnë në shoqëri. Sipas saj, produktet menstruale janë e drejtë themelore e gruas.
Taksa për produktet menstruale në rajon
Kërkesa dhe thirrje të ngjashme kanë bërë edhe aktivistet nga Serbia, ku taksa për produktet menstruale është 20 për qind.
Aktivistja serbe nga Instituti për Media dhe Diversitet, Maria Jovanoviq, videot e së cilës për këtë çështje u bënë virale në rrjete sociale, thotë se kjo taksë u shkakton barrë të madhe grave nga grupet e margjinalizuara.
“Natyrisht, duhet të përmendim edhe disa grupe të margjinalizuara të grave që mund të mos jenë në gjendje as të flasin hapur për ciklin menstrual dhe problemet e përgjithshme që kalojnë çdo muaj në komunitetet e tyre. Prandaj, po ta kemi parasysh se nuk kanë stabilitet financiar apo të ardhura mujore, ato e kanë jashtëzakonisht të vështirë të ndajnë para për produkte menstruale, sepse [për to] nuk flitet si fenomen”, thotë Jovanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Përveç uljes së TVSH-së për produktet menstruale, Jovanoviq kërkon që këto produkte të shpërndahen pa pagesë për vajzat e reja nga grupet e margjinalizuara. Ajo shton se për këtë çështje është kërkuar edhe dialog i të rinjve me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Bërnabiq ka thënë se ajo dhe kabineti i saj do të informohen për këtë temë dhe do t’i shohin hapat e mëtejshëm. Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë sa i përket tatimit mbi produktet menstruale.
Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që mbajnë TVSH-në 20 për qind për këto produkte.
Prej muajit dhjetor të vitit 2022, Maqedonia e Veriut ka ulur normën nga 18 në 5 për qind për to.
Që nga fillimi i vitit, Mali i Zi ka ulur tatimin në produktet menstruale në 7 për qind, nga 21 për qind sa ka qenë më parë.
Prillin e kaluar, Kroacia e ka ulur këtë taksë nga 25 në 13 për qind, ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë të gjitha produktet menstruale tatohen me 17 për qind.
Megjithatë, ky lloj “diskriminimi ekonomik” me bazë gjinore nuk kufizohet vetëm në taksën mbi produktet menstruale.
“Taksa rozë”
Një çështje më pak e njohur është “taksa rozë”, e cila i referohet fenomenit global, ku produktet që tregtohen për gratë, kanë çmime më të larta se produktet e ngjashme që tregtohen për burrat.
Në botën e marketingut, kompanitë krijojnë strategji për të tërhequr tregje të ndryshme që ato synojnë.
“Taksa rozë” cilësohet si një nga format më tinëzare të pabarazisë gjinore në çmime. Ekspertët e marketingut thonë se tregtarët përfitojnë, duke i konsideruar gratë si një “mundësi e artë” për shkak të konsumit dhe vëmendjes së tyre më të lartë ndaj reklamave, në krahasim me meshkujt.
Kur bëhet fjalë për produktet e tregtuara për gratë, kompanitë shpesh përdorin faktorë unikë për t’i tërhequr konsumatoret, thotë Ajshe Abdullahu, stratege e marketingut nga Kosova. Sipas saj, gratë tërhiqen jo vetëm nga funksionaliteti i një produkti, por edhe nga dizajni dhe tregimi pas tij.
Abdullahu thotë se reklamat që synojnë gratë “mund të fokusohen më shumë në aspektet emocionale, marrëdhëniet shoqërore dhe fuqizimi personal”, ndërsa “reklamat që synojnë burrat, theksojnë më shumë performancën, forcën dhe konkurrencën”.
“Duke qenë se gratë janë të kujdesshme dhe shpeshherë janë të prira të blejnë edhe për anëtarët e tjerë të familjes, tregtarët i shfrytëzojnë këto situata gjatë kampanjave të tyre, duke i konsideruar femrat si një ‘mundësi e artë’, për shkak të konsumimit më të madh dhe vëmendjes së tyre më të madhe ndaj reklamave, në krahasim me meshkujt”, thotë Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, mënyra me të cilën kompanitë tregtojnë ndaj grave, nuk është gjithmonë e drejtë.
“Për shembull, veshjet e grave apo produktet higjienike me të njëjtin funksion si ato për meshkujt, të prodhuara nga e njëjta kompani, kushtojnë 7-8% më shumë, për shkak të 'taksës rozë', thjesht sepse prodhohen për gjininë femërore, që përfaqëson përqindjen më të madhe të tregut në mbarë botën”, thotë Abdullahu.
Si të dilet nga kurthi dhe cilat janë alternativat?
Për të shmangur “taksën rozë” këshillohet krahasim i çmimeve të produkteve që janë pothuajse të njëjta dhe mosblerje impulsive.
“Ne konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që të kemi një vetëdije në raport me produktet që i blejmë, në kuptimin që të mos biem pre e presionit shoqëror dhe sistemit - që të kemi një imazh të caktuar, qoftë të bukurisë, qoftë të mirëmbajtjes higjienike, por të mundohemi ta shohim edhe atë që bota e quan presion nga kompanitë e higjienës apo kozmetikës”, thotë Molliqaj.
Në aspektin komercial, thotë Abdullahu, ka disa mënyra se si kompanitë mund t’i përshtatin praktikat e drejta dhe të barabarta kur reklamojnë produkte.
“Ato duhet t’i shmangin stereotipat gjinorë, ku gruaja portretizohet si emocionale, ndërsa burri si racional nëpër reklamat e tyre. Ato duhet të krijojnë reklama më gjithëpërfshirëse për të dyja gjinitë”, thotë ajo.
Disa vende e kanë rregulluar ligjërisht luftimin e “taksës rozë” në shkallë të ndryshme.
Në Bashkimin Evropian, rregulloret ndalojnë çmimet e bazuara në gjini për produkte dhe shërbime identike. Në Mbretërinë e Bashkuar, Qeveria u ka bërë thirrje shitësve me pakicë që t’u japin fund pabarazive të çmimeve bazuar në gjini dhe Autoriteti i Standardeve të Reklamimit ka ndërmarrë hapa për t’i ndaluar stereotipat gjinorë në reklama.
Edhe pse në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta se a ndryshojnë çmimet e produkteve të grave me ato të burrave, aktivistet i referohen çështjes në nivel global dhe thonë se produktet në treg me ngjyrën rozë vërehet që kanë çmim më të lartë, sesa produktet që konsiderohen klasike, apo me ngjyra neutrale.