Ndërlidhjet

Taksa e Kosovës godet çmimet në tregun e Maqedonisë


Ilustrim
Ilustrim

Bujqit në Maqedoni janë të revoltuar që taksa doganore prej 30 për qind për për domatet, specat, mollët, dardhët, kumbullat, mjedrat dhe rrushin, që i eksportojnë në tregun e Kosovës, vazhdon të mbetet në fuqi.

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht taksën doganore prej 30 për qind për importet e produkteve bujqësore. Megjithatë, kjo masë do të aplikohet për shtatë produkte.

Eftim Shaklev, kryetar i Asociacionit të Bujqve në Maqedoni për Radion Evropa e Lirë thotë se pikërisht këto produkte bujqësore janë ato që kalben në tregjet e Maqedonisë, për shkak të mungesës së plasimit në treg.

“Një pjesë të madhe të specave dhe domateve, por edhe rrushit, ne si bujq i kemi prodhuar duke llogaritur në tregun e Kosovës. Asgjë nuk është bërë, përderisa nuk hiqen taksat edhe për specat, domatet, rrushin... kërkojmë që Qeveria jonë të përgjigjet me kundërmasa”.

“Rritja e taksave doganore për 30 për qind ka bërë të mos ketë kërkesa dhe përderisa nuk ka kërkesë në treg, është e kuptueshme se çmimet e pemëve dhe perimeve për çdo ditë bien. Jo vetëm që janë përgjysmuar, por edhe më keq, prodhimet bujqësore kalben në treg sepse nuk ka kërkesa. Bëhet fjalë për domate, kumbulla, tranguj që për dy-tre ditë nëse nuk shiten ato kalben. Shpresoj të ketë një zgjidhje sa më parë. Njëherësh kërkojmë që edhe autoritetet shtetërore të gjejnë një zgjidhje për të ulur koston e dëmit që kemi pësuar së fundmi ne si bujq” thotë për Radion Evëopa e Lirë, Eftim Shaklev, kryetar i Asociacionit të Bujqve në Maqedoni.

Bujqit në Maqedoni bëjnë të ditur se rritja e doganave për prodhimet bujqësore që futen në Kosovë për 30 për qind, masë kjo që hyri në fuqi më 18 korrik, vetëm brenda një jave atyre u ka shkaktuar dëm në vlerë mbi 3 milionë euro.

Për shkak të mungesës së plasimit të produkteve në treg, çmimet e pemëve dhe perimeve në tregjet e Maqedonisë janë përgjysmuar.

Aktualisht, në tregjet me shumicë, me 1 euro mund të blihen 6 kilogramë domate, ndërkaq me çmimin e njëjtë, para një jave mund të bliheshin vetëm 3 kilogramë.

Me vetëm 1 euro mund të blihen 12 kilogramë kumbulla, apo 12 kilogramë tranguj, dyfish më lirë sesa kushtonin vetëm një javë më parë.

Edhe tregtarët ankohen se pësojnë dëme të mëdha, duke bërë të ditur se nga 100 tonë prodhime bujqësore sa janë eksportuar për çdo ditë në Kosovë, javën e fundit, në ditë janë nisur vetëm 5 tonë pemë dhe perime.

“Duhet të ketë përgjegjësi për mosrespektimin e plotë të marrëveshjes së CEFTA-së. Të gjithë ne kemi shumë dëme. Rritja e taksës doganore duhet të shfuqizohet për të gjitha prodhimet bujqësore dhe jo pjesërisht”, thotë tregtari, Ivan Teodorov.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se përplasjet mes Shkupit dhe Prishtinës rreth mbrojtjes së prodhimeve bujqësore, nuk po shfaqen për herë të parë dhe këto përplasje duhet parë si fotografi më e gjerë, kur edhe Shkupi në vitin 2013 morri vendim që të mbrojë një pjesë të prodhimeve të tij, siç ishte mielli dhe produktet e qumështit.

Arben Halili, ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore vlerëson se në favor të ekonomisë së Maqedonisë edhe Kosovës është që të respektohet në tërësi marrëveshja e CEFTA-s, dhe jo të bëhen shkelje të herëpashershme për produkte të caktuara.

“Që të dyja palët duhet të respektojnë marrëveshjet e ndërsjella dhe mbi të gjitha të shohin interesin e përgjithshëm të ekonomisë dhe mos përqendrohen vetëm në një ose dy sektorë në momente të caktuara”, thotë Halili.

Ndryshe, Kosova më 18 korrik, për të mbrojtur prodhimet bujqësore të vendit, vendosi të rrisë taksën doganore për 30 për qind për produktet bujqësore që futen në tregun e Kosovës, nga të gjitha vendet e rajonit. Si më e goditura nga ky vendim llogaritet Maqedonia, si shtet prej ku është furnizuar një pjesë e madhe e tregut të Kosovës me pemë dhe perime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG