Ndërlidhjet

Osmani takohet me Haradinajn


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn, me të cilin ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës, presidentja Osmani ka ftuar sot në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, “në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional”.

Ftesa e kryetarëve të partive nga presidentja Osmani është bërë pas kërkesës së liderit të AAK-së.

“Presidentja ka ftuar liderët opozitarë fillimisht në takime të ndara, meqë disa nga krerët e institucioneve këto ditë nuk ishin në Kosovë. Ajo ndërkaq ka paralajmëruar edhe ftesën për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve në një moment kur të gjithë të jenë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Kryetari i AAK-së Haradinaj, pas takimit me Osmanin, ka theksuar se me presidenten kanë trajtuar “të gjitha shqetësimet që i kemi”.

Haradinaj theksoi se i ka shprehur presidentes Osmani shqetësimet lidhur me situatën e krijuar pas tensioneve në veri të vendit, si dhe “shqetësimin për humbjen e besimit të partnerëve tanë dhe vështirësitë që do t’i kemi nëse nuk dalim nga kjo gjendje”.

“I kërkova presidentes që të veprojë në përputhje me mandatin e vet, me kompetencat që ka, që ta kthehet besimi me aleatët tonë, që të ndalen ndëshkimet, që të ndodhë një de-përshkallëzim i situatës në veri dhe t’i kthehemi të arriturave të dialogut, marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit”, tha Haradinaj.

Liderët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, më herët kanë deklaruar se kanë pranuar ftesat nga presidentja Osmani, por ata kanë refuzuar pjesëmarrjen në takim.

Kryetari i PDK-së në letrën dërguar presidentes Osmani ka shprehur refuzimin për pjesëmarrje në takim, duke i thënë presidentes se është ndërruar në “mbështetëse dhe certifikuese të veprimeve aventureske dhe të papërgjegjshme të kryeministrit (Albin Kurti)”.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdigjiku i ka shkruar presidentes Osmani se ajo çfarë kërkon dhe pret partia e tij, në këtë kohë, është “pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të kryeministrit (Albin Kurti)”.

Presidentja Osmani ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare “kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas presidentes Osmani, “kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG