Ndërlidhjet

Lajçak: Vuçiq e kupton seriozitetin e situatës në veri


I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd. 14 dhjetor 2022.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd. 14 dhjetor 2022.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë të sinqertë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, "për të gjetur zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës".

“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Lajçak deklaroi kështu pas një takimi që ka zhvilluar në Beograd me Vuçiqin dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Edhe presidenti serb shkroi në Instagram se biseda ka qenë "e sinqertë dhe korrekte".

Një ditë më herët, dy diplomatët perëndimorë takuan në Prishtinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Lajçak, tha në Prishtinë se nuk preferon që barrikadat në veri të hiqen me buldozerë, por përmes rrugëve diplomatike.

Me Escobarin është takuar më 14 dhjetor në Beograd edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ajo theksoi “gatishmërinë e plotë të Beogradit për të vazhduar dialogun me Prishtinën”, por për këtë tha se vendimtare është zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel mes dy vendeve, me theks ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thuhet në njoftimin e qeverisë serbe.

Vetë Escobar ka thënë të martën për Radion Evropa e Lirë se punët për formim të Asociacionit duhet të nisin shpejt.

Këto takime vijnë në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Gjashtë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor, që bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë aty.

Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të tyre.

Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG