Ndërlidhjet

BE-ja mbështet nismat e vendeve të Ballkanit Perëndimor


Durrës
Durrës

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë zhvilluar një takim joformal në Durrës të Shqipërisë, ku është diskutuar për thellimin e integrimit rajonal, me fokus në ekonomi dhe tregti.

Ky takim mbahet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, të cilin e ka nisur kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014.

Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shqyrtuar mundësitë e partneriteti rajonal dhe veprimet e shteteve rreth lehtësimit të lëvizjes ndërkufitare të mallrave si dhe transportit, investimet dhe ekonominë digjitale, si dhe për perspektivën e integrimeve të mëtejshme në Ballkanin Perëndimor.

Ata janë pajtuar për një angazhim më të madh në drejtim të zbatimit të Planit për Zonën Ekonomike Rajonale, pasi për këtë çështje ishte arritur pajtueshmëria muajin e kaluar në Samitin e Triestes.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe komisionari për Negociata për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i BE-së, Johannes Hahn, pas takimit kanë mbajtur një konferencë për media.

Rama ka thënë se përmes planit të veprimit synojnë transformimin rrënjësor të rajonit.

“Është e qartë tanimë që kemi një plan veprimi me rreth 115 pika në funksion të një transformimi rrënjësor në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit, punonjësve të kualifikuar që ta bëjë rajonin shumë më tërheqës për investime, shumë fleksibil për shkëmbimet e brendshme tregtare duke përshpejtuar afrimin e BashkimitEvropian dhe njëkohësisht duke përshpejtuar ritmin e rritjes ekonomike dhe mirëqenies”, ka theksuar Rama.

Kryeministri Rama ka shtuar se për këtë plan veprimi ka një pajtim të plotë në nivelin politik, në nivelin e marrëdhënieve me komisionin.

Po ashtu, sipas tij, ka një pajtim edhe me Bankën Botërore, e cila është përfshirë në këtë kërkesë, si dhe instrumentet tjera si Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe mekanizmat tjerë.

“Ky reflektim strategjik që po bëjmë sot, do të na vlejë për një agjendë intensive dhe agresive në funksion të një rajoni më tërheqës për investime të huaja, funksion të një lëvizjeje të lirë të mallrave, transformimit rrënjësor të procedurave kufitare e të tjera”, ka thënë Rama.

Në anën tjetër, komisionari Hahn ka thënë se mbështesin nismat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, prioritet kyç është që të krijohet një zonë ekonomike, nga e cila do të nxitet edhe rritja ekonomike.

“ Më shumë nisma vijnë nga rajoni dhe neve na mbetet t’ju mbështesim dhe të bashkëpunojmë me ju për të ecur përpara për sa u takon aspiratave tuaja evropiane”.

“U ra dakord për pikat e planit, shenjë e mirë kjo për zbatimin e tyre. Jam mirënjohës për zotimet dhe frymën që keni ndërmarrë”, ka thënë Hahn.

Në këtë takim, ka marrë pjesë edhe kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore e të tjerë.

Në një komunikatë për media, të lëshuar nga zyra e kryeministrit në largim të Kosovës, thuhet se Mustafa ka prezantuar qëndrimet e Republikës së Kosovës për të gjitha çështjet e rëndësishme që lidhen me bashkëpunimin rajonal, integrimet evropiane dhe temat tjera të rëndësishme.

Procesi i Berlinit, synon përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre, si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG