Ndërlidhjet

Përballja e presidentëve


Takimi i presidentëve
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:36 0:00

Takimi i presidentëve


Në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, të mërkurën është mbajtur takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të të dyja shteteve dhe, në masë të madhe, është parë si hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Në prag të tij, Ashton ka takuar ndarazi Nikolliqin dhe më pas Jahjagën.

Jahjaga: Takim në nivel të barabartë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se takimi me homologun nga Serbia, Tomisllav Nikolliq, ka qenë konstruktiv dhe në nivel të barabartë.

Ajo ka bërë me dije se në takim i është dhënë mbështetje procesit të dialogut midis dy vendeve, i cili tashmë është në zhvillim e sipër.

Dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve në mes të dy vendeve të pavarura, ka thënë Jahjaga gjatë një konference me gazetarë të mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel pas takimit.

“Takimi i sotëm paraqet rrjedhë normale të të gjithë procesit dhe takim të nivelit më të lartë shtetëror. Shpreh falënderim për baroneshën Ashton për ndërmjetësimin dhe për harmonizimin e agjendës për takim. Po ashtu falënderoj edhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka deklaruar se, gjatë takimit, i ka bërë me dije presidentit serb se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe me integritet të plotë territorial. Sipas Jahjagës, statusi i Kosovës është mbyllur.

Nikolliq: Pavarësia s'është zgjidhje

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka deklaruar se i ka thënë presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, se dialogu nuk mund të çojë kah një zgjidhje e përbashkët po qe se ajo vazhdon të këmbëngulë në pavarësinë e Kosovës.

“I kam thënë se po qe se këmbëngulë se Kosova është shtet i pavarur, dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, e cila do të mundësonte jetë më të mirë dhe anëtarësim në BE”, i ka thënë Nikolliq televizionit serb B92 në Bruksel.

Ai ka shtuar se nga rrëfimet e librave për të drejtat e njeriut dhe për jetë më të mirë në anëtarësim në BE, Jahjaga ka insistuar me ngulm se dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë sa më mirë dhe të harrojnë konfliktet e së kaluarës.

“Takimi si njoftim ka qenë i dobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, është shprehur Nikolliq.

Ashton: Javët e ardhshme - kritike

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, që ka ndërmjetësuar takimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se në takim është trajtuar çështja e veriut të Kosovës dhe se “javët e ardhshme do të jenë kritike”.

“Që të dy, presidenti Nikolliq dhe presidentja Atifete Jahjaga më kanë siguruar për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për dialogun dhe për agjendat respektive evropiane”, ka cituar DPA, Ashtonin.

Këto komente thuhet se ajo i bëri në fund të negociatave triorëshe.

Përndryshe, i gjithë takimi tek Ashtoni është zhvilluar larg gazetarëve dhe kamerave.

Diplomatë të BE-së kanë shfaqur bindjen se takimi i së mërkurës është mbështetje e rëndësishme për bisedimet që po zhvillohen ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Dy të fundit, deri më tash, janë takuar katër herë në Bruksel, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.

I gjithë procesi i dialogut ka evoluar nga ai për çështje teknike, i cili ka nisur në mars të vitit 2011 dhe është zhvilluar në disa raunde. Bartës të tij kanë qenë kryenegociatorët Edita Tahiri dhe Borsillav Stefanoviq.

Bisedimet gëzojnë mbështetje të madhe nga diplomatët perëndimorë, ndërsa skena politike në Prishtinë mbetet e ndarë. Në mesin e partive opozitare është Lëvizja Vetëvendosje ajo që thotë se procesi u shërben vetëm interesave të Serbisë. Përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së, ndërkaq, kanë shfaqur mbështetje për të.

Po ashtu kujtojmë se Jahjaga, të mërkurën në Bruksel, ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, përfshirë presidentin e Komisionit Evropian, Herman van Rompuy.

Në takim me të, Jahjaga ka folur për situatën në Kosovë dhe procesin e integrimit të vendit. Presidentja ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe zëvendës-ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker, të angazhuar për çështje të Evropës. (v.tela&a.isufi)
XS
SM
MD
LG