Ndërlidhjet

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme


Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë gjatë një takimi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Fotografi nga arkivi.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë gjatë një takimi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Fotografi nga arkivi.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet jozyrtare në Bruksel.

Sipas burimeve, data 16 nëntor përmendet si datë e mundshme për takimin mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Mundësinë e një takimi në nivel kryenegociatorësh gjatë kësaj jave e kishte paralajmëruar kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, i cili kishte deklaruar se takimi megjithatë nuk do të mbahej sepse ishte refuzuar nga Kosova.

Por, ky pretendim i Petkoviqit është mohuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e Lajçakut kanë precizuar se të gjitha takimet në kuadër të dialogut organizohen në data që janë të përshtatshme për të dyja palët dhe për takime njoftohet vetëm pasi palët të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre.

Lajçak konfirmoi për REL-in se ka pasur një ide paraprake që më 7 nëntor të takoheshin kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

“Pala e Kosovës ka paraqitur një kërkesë shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për shtyrjen e takimit, të cilin lehtësuesi i BE-së e ka pranuar. I takon lehtësuesit të BE-së të përcaktojë se cilat kërkesa dhe arsye të ofruara nga palët në lidhje me organizimin e takimeve janë të vlefshme dhe të rëndësishme”, u tha në përgjigje.

Lajçak konfirmoi se tashmë ekziston një pajtim mes palëve për organizimin e takimit të radhës, ndonëse në përgjigje dërguar REL-it nuk përmenden data. Megjithatë, paralajmërohet se në këtë takim do të diskutohen hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimi i detyrimeve të palëve në dialog.

Lajmi për rundin e ri të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, vjen pasi bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 tetor në Bruksel zhvilluan takime të ndara me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë kërkuan që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Kurti ka deklaruar se ka pranuar një propozim për draft-statutin për Asociacionin, që BE-ja e ka përshkruar si model modern evropian.

Megjithatë, draft-statuti nuk është bërë publik, por kryeministri Kurti ka thënë se ai është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës. Ai ka thënë se drafti parashihet të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

“Drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, ka deklaruar Kurti gjatë një raportimi për dialogun para deputetëve të Kosovës më 3 nëntor.

Lajçak më herët ka deklaruar se propozimi është një mënyrë moderne evropiane për zgjidhjen e çështjes së ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me standardet më të mira evropiane “dhe nuk shkel vijat e kuqe të paraqitura nga palët”.

Ai ka shtuar se nuk është vetëm Asociacioni që duhet të zbatohet, që është obligim i Kosovës, por edhe Serbia duhet të zbatojë të gjitha nenet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiq arritën Marrëveshjen drejt normalizimit. Më 18 mars, në Ohër palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Megjithatë, marrëveshja nuk është nënshkruar nga palët, pasi presidenti serb ka refuzuar duke argumentuar se “Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova jo”.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG