Ministri i Jashtëm tajvanez, Joseph Wu, ka thënë më 9 gusht se Kina është duke shfrytëzuar stërvitjet ushtarake si “përgatitje për pushtim të Tajvanit”.
Kina ka nisur stërvitje ushtarake pas vizitës që i ka bërë këtij ishulli udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Wu ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare me qëllim të mbrojtjes së “paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit”.
Sipas tij, Kina “është duke kryer stërvitje të shkallës së gjerë, po lëshon raketa, si dhe po kryen sulme kibernetike dhe fushatë dezinformuese, në përpjekje për të dobësuar moralin publik në Tajvan”.
Pekini e konsideron Tajvanin si provincën e tij që do të aneksohet edhe me forcë - nëse është e nevojshme.
Stërvitjet më të mëdha ndonjëherë të Kinës afër Tajvanit, ishte planifikuar të përfundonin më 7 gusht.
Në to janë përfshirë lansues të raketave balistike dhe simulime të sulmeve ajrore dhe detare.
Megjithatë, Komanda lindore e Kinës ka bërë të ditur më 8 gusht për stërvitje të reja, duke rritur shqetësimet se Pekini synon të rrisë presionin mbi ishull.
Më 9 gusht edhe Tajvani ka nisur stërvitjet e veta ushtarake.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë më 8 gusht se është i shqetësuar për veprimet e Kinës, por ka shtuar se “nuk besoj se ata do të bëjnë diçka më shumë sesa janë duke bërë”.
Pas përfundimit të vizitës pesëditore në rajon, zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, ka thënë se “e ardhmja do të shkruhet këtu në Paqësor”.
Raportet mes Kinës dhe Tajvanit
- Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.
- Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka Kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300.000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
- Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.