Fatmire Ismajli, nga Prishtina, besoi dhe ia doli që ta fitojë betejën me sëmundjen e kancerit në gji. Ajo u bën thirrje të gjitha grave, të cilat mund të preken nga kjo sëmundje, që të besojnë në shërim dhe të mos e neglizhojnë në asnjë formë, por ta trajtojnë sëmundjen sipas këshillave të mjekut.
“Në vitin 2013, në muajin tetor, jam diagnostikuar me kancer në gji. Atëherë kam qenë 42-vjeçare. Në Kosovë i kam kryer operacionin, kimioterapinë dhe gjithë trajtimin. Mendoj se të gjitha femrat e Kosovës, nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit për trajtim, pasi në Institutin Onkologjik është një staf jashtëzakonisht i mirë”.
“Të gjitha gratë do i lusja të mos dorëzohen, pasi me vullnet dhe dëshirë kjo sëmundje shërohet. Unë e krahasoj sëmundjen e kancerit me virusin e gripit. Kanceri shërohet”, thotë Ismaili.
Trajtimi i sëmundjes së kancerit, përveç mbështetjes morale e profesionale, është tejet i kushtueshëm për kah ana materiale. Zonja Ismajli thotë se ka kaluar shumë sfida, pasi që barnat kanë qenë shumë të shtrenjta.
“Instituti Onkologjik nuk ka pasur barna në vitin 2013. Unë për tre muaj i kam shpenzuar 20 mijë euro për operim dhe barna. Kjo sëmundje është e kushtueshme. Por, mua më kanë ndihmuar të gjithë, si moralisht ashtu edhe financiarisht. Çdo sëmundje për ta kaluar është sfidë, por me vullnet kalohet dhe shërohet. Unë kam qenë në stadin e dytë të sëmundjes kur jam diagnostikuar”, tregon ajo.
Aktualisht në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në nëntëmujorin e vitit 2017, ka pasur 1.128 raste të trajtuara nga kanceri.
Derisa vetëm me kancer në gji gjatë këtij nëntëmujori, janë shënuar 450 raste të reja.
Drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, tha se pothuajse çdo vit rritet numri i të prekurve me kancer. Por, ai këtë fenomen e shpjegon me faktin se është rritur numri i personave që e zbulojnë më herët sëmundjen.
“Ky trend i rritjes së numrit të të prekurve me kancer ka qenë i parashikuar, pasi numri që ka qenë më herët, ka treguar numrin më të vogël në Evropë dhe ne nuk mund të jemi të ndryshëm nga njerëzit tjerë të botës. Por, gjithsesi mendoj se ky numër është rritur edhe falë asaj që njerëzit tashmë paraqiten te mjeku posa vërejnë diçka të dyshimtë te vetja”, thotë Hyseni.
Sipas tij, gjatë gjithë vitit 2017 furnizimi me barna për institucionet publike shëndetësore është paraqitur si sfidë për shumë sëmundje në Kosovë, përfshirë edhe ato të kancerit.
Profesionistë shëndetësorë thonë se kanceri i gjirit prin si sëmundje te gratë.
Si rrjedhojë, në Kosovë në vitin 2015, është vënë në shërbim të grave mamografi mobil, përmes së cilit gratë mund të bëjnë falas kontrollin e gjirit.
Ka qenë grupi i grave deputete që ka iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës.
Zyrtarë shëndetësorë kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2016, në gjithë Kosovën, përmes këtij mamografi janë zbuluar rreth 50 raste me kancer në gji.
Ardian Biçaku, koordinator për mamografin mobil tha se tashmë shumë shërbime për diagnostikim të kancerit të gjirit kryhen brenda institucioneve publike shëndetësore.
“Shërbimi i mamografisë është i organizuar përmes mamografisë mobile dhe funksionon qe tre vjet. Gjithashtu, përmes qendrës referente që është realizuar brenda Qendrës Klinike Universitare,ku ofrohen shërbimet e ultrazërit të gjirit, mamografisë digjitale dhe rezonancës magnetike që është hera e parë që ofrohet në institucionet publike”.
“Është bërë një lëvizje së bashku edhe me shoqërinë civile që është aktive në këtë drejtim me ofrimin e shërbimit të Klinikës së Onkologjisë e që mamografi mobil ka arritur të mbulojë shumë zona në Kosovë”, shpjegon ai.
Ndryshe, nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet ky numër në 21.7 milionë.
Ndërkaq, sa i përket vdekjeve nga kanceri në botë, aktualisht janë 8.2 milionë raste në vit, derisa deri në vitin 2030, thuhet se do të ketë deri në 13 milionë vdekje nga kanceri.
Facebook Forum