Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në qarkun e Dragashit, në jug të Kosovës, tha ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë”, tha Sveçla.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha në një video në Facebook se komunat paralele u mbyllën në fshatin Vranisht në Dragash, të cilat kishin vepruar në një objekt të përbashkët.
Ai shtoi se ato kanë vepruar dhe kanë lëshuar dokumente jashtëligjshëm për qytetarët e komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.
“Aktiviteti i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë. Funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin. Kosova ka komuna të cilat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe ky objekt sikurse objektet e tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha Krasniqi.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka kritikuar këtë vendim, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se po i “frikëson” banorët e kësaj komune.
“Nuk ka dyshim se bastisja në objektin e komunës u krye me urdhër direkt të Albin Kurtit, me një qëllim të vetëm, ta mbyllë atë, t’i frikësojë dhe t’i largojë punëtorët nga vendi i punës, dhe pastaj nga pragu i shtëpive të tyre, ku ata jetojnë paqësisht në harmoni, pa e prekur askënd”, thuhet në reagimin e Zyrës serbe.
Vendimi i sotëm vjen një ditë pasi autoritetet kosovare hoqën një bilbord në Zveçan, me fotografi të personaliteteve të ndryshme - përfshirë presidentin e Serbisë dhe atë të Rusisë - me arsyetimin se nuk do të lejohen simbolika të personave që kanë qasje agresore ndaj Kosovës.
“Dje ne Zveçan e sot në Dragash, ashtu siç jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla të premten.
Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.
Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës thotë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veri të Kosovës, duke i shuar institucionet paralele serbe. Në dhjetor, Policia e Kosovës hoqi qindra kamera, siç i cilësoi të jashtëligjshme, nga vendet publike në komunat me shumicë serbe.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli nga ajo në vitin 2008. Nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për normalizim të marrëdhënieve në një dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Palët arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj në fillim të vitit 2023. Por, ato nuk janë duke u zbatuar, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare.