Ndërlidhjet

Supremja rrëzon ankesat ndaj rezultateve të zgjedhjeve, hapet rruga për certifikimin e tyre


Një komisioner duke numëruar votat në Qendrën e Numërimit në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Një komisioner duke numëruar votat në Qendrën e Numërimit në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë tri ankesat e fundit të subjekteve politike ndaj rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, duke hapur rrugën për certifikim e tyre.

Supremja rrëzoi të mërkurën si të pathemelta ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, të një kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDAK) – LPB, të cilat kundërshtonin vendimet e Panelit për Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi pas vendimit të Supremës se do të mbajë takim të enjten, ku pritet t'i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.

Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, kjo nënkupton që anëtarët e Qeverisë, të cilët kanë fituar mandat deputeti, duhet që deri nesër t'i dorëzojnë dorëheqjet e tyre.

LVV-ja u ankua në Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, i cili nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për anulimin e votave me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe shkuarjen në rivotim me postë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me procesin e votimit me postë, pas pretendimeve të LVV-së se ka pasur manipulime nga LDK-ja.

PDAK – LPB kishte kërkuar rinumërimin dhe anulimin e qindra votave, ndërsa kandidati i PDK-së kishte kundërshtuar rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Javë më parë, KQZ-ja e miratoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG