Ndërlidhjet

Supremja e hedh poshtë ankesën e LVV-së kundër urdhrit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kundër certifikimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së saj në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, tha për Radion Evropa e Lirë Antigona Uka-Lutfiu, zëdhënëse e kësaj gjykate.

Ky vendim vjen pasi javën e kaluar, partia në pushtet u ankua në Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.

KQZ-ja tani pritet të mblidhet për ta certifikuar Listën Serbe - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - dhe t'i japë dritën jeshile për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet në KQZ kishin votuar kundër certifikimit të Listës Serbe në një mbledhje të mbajtur më 23 dhjetor.

Dy ditë më vonë PZAP-i e pranoi ankesën e Listës Serbe duke e rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, "Kosova dhe Metohia".

Vendimi i PZAP-it u mirëprit nga Lista Serbe, e cila e cilësoi vendimin e KQZ-së si përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

E gjithë kjo, sipas këtij subjekti, u bë për të “favorizuar serbët e përshtatshëm me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti pasi çdo gjë është realizuar drejtpërdrejt nën urdhrin e tij dhe është motivuar politikisht”.

Njohësit e zhvillimeve politike kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore.

Edhe Perëndimi kishte shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe pas vendimit të KQZ-së më 23 dhjetor.

Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG