Ndërlidhjet

A është Super e Marta gjasa e fundit që Haley të ndalë Trumpin?


Nikki Haley, kundërkandidatja e ish-presidentit Donald Trump, gjatë një tubimi zgjedhor në Miçigan.
Nikki Haley, kundërkandidatja e ish-presidentit Donald Trump, gjatë një tubimi zgjedhor në Miçigan.

Reuters

Pesëdhjetë shtete dhe një territor amerikan do të mbajnë gara të nominimit të republikanëve për Super të Martën, që është dita më e madhe e votimit kur mbi një e treta e delegatëve do të caktohen në betejën për të vendosur nëse Nikki Haley mund të ndalojë kandidatin favorit, Donald Trump, që të fitojë nominimin e republikanëve për president. Demokratët po ashtu do të votojnë për zgjedhjet paraprake në mbarë vendin më 5 mars, por presidenti Joe Biden pritet të fitojë nominimin pasi ka vetëm një sfidues, që ka pak gjasa ta mposhtë.

Në këtë artikull ju sjellim detaje lidhur me Super të Martën:

Çfarë është Super e Marta?

Super e Marta përshkruan ditën e ciklit primar presidencial në SHBA kur votojnë shumica e shteteve.

Në garën e Partisë Republikane, 874 nga 2.429 delegatët do të zgjidhen, përfshirë dy nga shtetet më të populluara: Kalifornia dhe Teksasi. Nevojiten të paktën 1.215 delegatë që të fitohet nominimi për president në Konventën Kombëtare Republikane që do të mbahet në korrik.

Votat e delegatëve republikanë në votimet në Super të Martën janë: Alabama (50), Alaska (29), Samoa Amerikane (9), Arkansasi (40), Kalifornia (169), Kolorado (37), Mejn (20), Masaçusets (40), Minesota (39), Karolina e Veriut (74), Oklahoma (43), Tenesia (58), Teksasi (161), Juta (40), Vermonti (17) dhe Virxhinia (48).

Kjo është po ashtu dita e fundit për demokratët në Ajova që të votojnë me postë për garën shtetërore për nominim dhe më pas do të bëhen publike rezultatet.

Kur është Super e Marta dhe çfarë mund të pritet?

Super e Marta këtë vit është më 5 mars. Me shumë shtete dhe një territor që votojnë në zona të ndryshme kohore, do të duhet pak kohë para se të dihet qartë rezultati.

Në Kaliforni, votimi me postë është i ligjshëm për aq kohë sa dërgimi i votës të bëhet para ditës së zgjedhjeve dhe të pranohet deri më 12 mars.

Për më tepër, disa shtete mbajnë “zgjedhje të hapura paraprake” që u mundësojnë votuesve të regjistruar që mund të vendosin nëse duan të votojnë në zgjedhjet paraprake të demokratëve apo republikanëve, duke i shtuar një shtresë të paparashikueshmërisë.

Pse kjo ditë është e rëndësishme?

Haley nuk ka një rrugë të qartë që ta mposhtë Trumpin. Super e Marta mund të jetë shansi i saj i fundit të paktën për të ngadalësuar rrugën e ish-presidentit drejt nominimit.

Sondazhet tregojnë se Trump është favorit absolut në Kaliforni dhe Teksas, por edhe në shtete tjera sikurse Alabama, Mejn dhe Minesota. Sipas parashikimeve të ekipit të tij, ai do të fitojë të paktën 773 delegatë gjatë Super të Martës dhe të sigurojë nominimin një apo dy javë më vonë. Trump me lehtësi ka fituar pesë garat për nominim që janë mbajtur në Ajova, Nju Hampshër, Nevada, Ishujt Virgjine dhe Karolinën e Jugut. Ai po ashtu vazhdimisht i ka bërë thirrje Haleyit që të tërhiqet nga gara, gjë e cila do t’i siguronte atij një përballje të serishme ndaj Bidenit, sikurse më 2020. Sipas sondazheve, shumica e amerikanëve nuk duan një përballje të tillë.

Haley, që ka shërbyer si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara gjatë presidencës së Trumpit, është zotuar se do të qëndrojë në garë. Ajo do të realizojë takime të shumta në mbarë vendin para Super të Martës, dhe fushata e saj ka krijuar një ekip udhëheqës në Gjeorgji, ku votuesit do të votojnë më 12 mars, një javë pas Super të Martës.

Votuesit, tha ajo pasi humbi në Karolinën e Jugut më 24 shkurt, “kanë të drejtë për një zgjedhje reale, jo zgjedhje të stilit sovjetik me vetëm një kandidat”.

“E kam për obligim që t’iu jap atyre një zgjedhje”, shtoi ajo.

Rezultatet e Super të Martës në Karolinën e Veriut do të vëzhgohen me kujdes për shenja për forcën e çdo kandidati në shtetin ku pritet garë më e fortë dhe që mund të jetë vendimtare për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Më 2020, Trump kishte fituar në këtë shtet me vetëm një pikë të përqindjes.

Në Super të Martën, Karolina e Veriut do të ketë 74 delegatë. Ky shtet u lejon votuesve që nuk janë të lidhur me ndonjë parti, të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake që ata zgjedhin. Ky fakt mund të përmirësojë pjesëmarrjen e Haleyit, duke i ofruar asaj mundësinë që të marrë votat e votuesve të pavarur.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG