Një sulm ajror izraelit ndaj një kompleksi ku qëndrojnë gazetarët në juglindje të Libanit ka vrarë tre punonjës të mediave, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve, media shtetërore e Libanit.
Stacioni lokal i lajmeve, Al Jadeed, ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, që tregonin ndërtesa të rrëzuara dhe vetura, ku shkruhej PRESS, të mbuluara nga rrënojat. Ushtria izraelite nuk kishte lëshuar një paralajmërim para këtij sulmi.
Televizioni pan-arab me bazë në Bejrut, Al-Mayadeen TV, tha se dy punonjës të tij – kameramani Ghassan Najar dhe tekniku i transmetimit Mohammed Rida – ishin në mesin e gazetarëve të vrarë mëngjesin e 25 tetorit. Televizoni Al-Manar i Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – tha se kameramani Wissam Qassim u vra po ashtu gjatë sulmit ajror në rajonin Hasbaja.
Ali Shoeib, korrespondent i njohur i Al-Manarit, që raporton nga jugu i Libanit, u pa në një video duke incizuar veten me telefon dhe duke thënë se kameramani me të cilin kishte punuar për muaj të tërë ishte vrarë. Shoeib tha se ushtria izraelite e dinte e zona që u godit kishte disa shtëpi ku gjendeshin gazetarë të organizatave të ndryshme mediale.
Rajoni Hasbaja nuk ka përjetuar shumë dhunë, e cila është parë përgjatë kufirit, dhe shumë gazetarë tani janë zhvendosur aty për shkak të sulmeve izraelite në qytetin e afërt Marjajun. Më herët gjatë kësaj jave, një sulm ajror goditi zyrat e Al-Mayadeenit në periferi të Bejrutit, sipas Ministrisë libaneze së Shëndetësisë.
Disa gazetarë janë vrarë që kur Hezbollahu dhe Izraeli nisën këmbimin e zjarrit në tetorin e vitit të kaluar, pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.
Nëntorin e vitit të kaluar, dy gazetarë të televizionit Al-Mayadeen u vranë gjatë një sulmi me dronë. Një muaj më vonë, nga granatimi i Izraelit në jug të Libanit u vra videografi i Reutersit, Issam Abdallah, dhe u pagosën gazetarë të tjerë nga Agence France-Presse dhe televizioni Al-Jazeera.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Ndërkaq, në fillim të tetorit të këtij viti tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut.
Si pasojë e luftimeve mes Izraelit dhe Hezbollahut, në Liban janë vrarë më shumë se 2.500 persona.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.