Ndërlidhjet

Sulmohen disa policë në Mitrovicë të Veriut


Fotografi ilustruese. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Fotografi ilustruese. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Në orët e hershme të së dielës, 2 prill, një mjet shpërthyes është hedhur në drejtim të zyrtarëve policor në Mitrovicë të Veriut, sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës.

Policia thotë se sulmi është kryer rreth orës 2:20 të natës “nga persona deri tani të panjohur”, ndërsa shton se mjeti shpërthyes i hedhur në rrugën “Ivo LlolaRibar”, tek Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, dyshohet të jetë shok bombë.

Sipas njoftimit, Prokurori i shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për këtë rast si “sulm ndaj personit zyrtar”.

Në komunikatën e Policisë nuk bëhet e ditur për gjendjen dhe numrin e policëve të sulmuar.

Ky incident vjen pas disa rasteve të raportuara për djegie të veturave me targa RKS në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Mbrëmjen e së shtunës, 1 prill, Policia e Kosovës lajmëroi se e kishte arrestuar një person për pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Pas këtij arrestimi, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi zyrtar, e cilësoi arrestimin në Mitrovicë të Veriut si "vazhdim të keqtrajtimit të popullit serb" dhe paralajmëroi se nëse i arrestuari nuk lirohet, do të shkaktohet “reagimi nga serbët”.

“Për ta sqaruar, kjo nuk do të jetë ndonjë paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për ta ndalur shtypjen e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se “po shkakton kaos dhe po krijon një krizë të re”.

Djegia e veturave ka filluar vitin e kaluar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave me targa KM në targa RKS. Targat KM lëshohen nga autoritetet e Serbisë dhe Kosova i konsideron ilegale.

Ky proces shkaktoi tensione në terren. Fillimisht, më 31 korrik u ngritën barrikada për këtë çështje, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri shkaku i suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim në targa RKS.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, në fund të nëntorit të vitit të kaluar arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e ri-regjistrimit ndërsa Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10.000 vetura të regjistruara me targa KM.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG