Ndërlidhjet

Dënohen me 21 vjet burgim aktivistët e Vetëvendosjes


Ndërtesa e Kuvendit, pas sulmit më 4 gusht 2016
Ndërtesa e Kuvendit, pas sulmit më 4 gusht 2016

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, si dhe tre aktivistët e tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti, të cilët akuzoheshin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Gjykata ka vendosur që deputeti Krasniqi të dënohet me tetë vjet burgim, Atdhe Arifi me gjashtë vjet, Egzon Haliti me pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa Adea Batusha është dënuar me dy vjet burgim.

Pasojat e sulmit ndaj Kuvendit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:06 0:00

(Video: Pamje një ditë pas sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit)

Me vendimin e gjykatës, nuk është pajtuar Lëvizja Vetëvendosje. Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në një konferencë për media, tha se ky vendim nuk sjell drejtësi, por është kryekëput politik.

Shpallja e dënimit, dy ditë para votimeve në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, sipas Ymerit, ka prapavijë politike, që si qëllim ka edhe dëmtimin e Vetëvendosjes në procesin zgjedhor.

"Ky vendim nuk sjell drejtësi, nuk e zbardh rastin për të cilën akuzohen aktivistët tonë, por synon ta mbulojë vdekjen e Astrit [Dehari] në Burgun e Prizrenit në nëntorin e vitit 2016. Vet data që është caktuar për t’u shqiptuar ky dënim, pra sot më pak se dy ditë para 19 nëntorit, kur do të votohet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, tregon se synim i këtij dënimi ka qenë të dëmtohet Lëvizja Vetëvendosje. Ky fakt edhe më shumë e dëshmon se sa politik e aspak i drejtë është vendimi i sotëm i gjykatës".

"Lufta politike kundër Lëvizjes Vetëvendosje që po zhvillohet nga pushteti me këto masa me petkun e gjyqësorit është një luftë së cilës do t’i përgjigjemi me mobilizim politik në secilën betejë tonën", tha Ymeri.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha se me gjithë vendimin e rëndë që është shpallur, në fund procesi do të përmbyllet me pafajësinë e tyre.

Shpallja e aktgjykimit është përcjellë me tensione në sallën e gjykatës. Policia i ka nxjerrë jashtë të gjithë të pranishmit, përfshi edhe mediat.

Avokati i aktivistëve të Vetëvendosjes, Tomë Gashi tha se me këtë vendim, gjykata bëri masakër në drejtësi.

“Ne nuk kemi të drejtë si avokatë të themi së është një akti terrorist i gjykatës, por ju e patë se përkundër të gjitha provave që e dëshmonin pafajësinë e katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo gjykatë për arsye politike ka vendosur t’i dënojë këta për së paku dy arsye”, tha Gashi.

“Arsyeja e parë është ta mbulojnë vrasjen e Astirt Deharit, e cila vrasje ka ndodhur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimin në Prizren për shkak të këtij rasti, dhe arsyeja e dytë që është krejtësisht politike është që ne kemi më pak se 24 orë para zgjedhjeve komunale për kryetar të komunave”, theksoi ai.

Provat që i ka prezantuar prokuroria, theksoi tutje Gashi, “kanë qenë prova shfajësuese për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”. Andaj, sipas tij, ishte e pakuptimtë juridikisht dhe “në kundërshtim me dispozita ligjore, vendore dhe ndërkombëtare se si ky trup gjykues nuk i beson ekspertizave të veta, Policisë së Kosovës, FBI, dhe të gjitha provave që janë administrua gjatë këtij gjykimi”.

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit ndodhi në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar, pak kohë pasi Qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sipas hetimeve të Policisë së Kosovës, sulmi ishte bërë me mortajë dore në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues, duke e djegur atë dhe më pas ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Lidhur me këtë rast, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në nëntor të vitit të kaluar.

Prokuroria pati dalë me prezantimin e ekspertizës ligjore, sipas të cilës, Dehari kishte bërë vetëvrasje.

Por, një konstatim të tillë e patën kundërshtuar familja e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe avokati i rastit, Tomë Gashi.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore kishte liruar nga arresti shtëpiak aktivistët e akuzuar lidhur me këtë rast.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës patën miratuan një deklaratë politike me të cilën dënuan ashpër sulmin mbi institucionin e ligjvënësve.

“Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike dhe demokratike që afirmojnë subjektet tona politike”, thuhej në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG