Ndërlidhjet

Sulmi ajror izraelit vret 23 punëtorë sirianë, raportojnë mediat libaneze


Ekipet e shpëtimit duke kërkuar të mbijetuar në vendin e ngjarjes së një sulmi ajror izraelit në veri të Bejrutit, Liban, 25 shtator.
Ekipet e shpëtimit duke kërkuar të mbijetuar në vendin e ngjarjes së një sulmi ajror izraelit në veri të Bejrutit, Liban, 25 shtator.

Ushtria izraelite e ka bombarduar një ndërtesë, në të cilën jetonin punëtorë sirianë në Liban, duke i vrarë 23 prej tyre, raportoi të enjten agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit.

Ky ishte ndër sulmet më vdekjeprurëse në fushatën ajrore izraelite kundër Hezbollahut – grupit militant libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Sulmi ndodhi të mërkurën mbrëma kur Shtetet e Bashkuara me aleatë bënë thirrje për një armëpushim të “menjëhershëm” 21-ditor mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Izraeli ka kërcënuar se do të kryejë ofensivë tokësore në Liban, ndërsa këmbimi i rritur i zjarrit mes tij dhe Hezbollahut ka rritur frikën se mund të shpërthejë një luftë e përgjithshme.

Agjencia libaneze e lajmeve tha se sulmi ndodhi në afërsi të qytetit të lashtë, Balbek, në verilindje të Libanit, i cili shtrihet përgjatë kufirit me Sirinë.

Ajo e citoi kryetarin e fshatit Younine, Ali Kassas, duke thënë se trupat e 23 shtetasve sirianë janë nxjerrë nga rrënojat.

Kryqi i Kuq Libanez tha se i ka nxjerrë nëntë trupa të vdekur, duke shtuar se trupat e tjerë po nxirren nga ekipet emergjente të Hezbollahut dhe nga Mbrojtja Civile Libaneze.

Në Liban, i cili ka rreth 6 milionë banorë, jetojnë rreth 780.000 refugjatë të regjistruar sirianë dhe qindra mijëra të tjerë të paregjistruar.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e hëna, kur Izraeli filloi bombardimet e pareshtura për ta shkatërruar atë që e quajti infrastrukturë të ndërtuar nga Hezbollahu prej luftës së fundit mes tyre më 2006. Hezbollahu ka gjuajtur qindra raketa drejt Izraelit gjatë kësaj jave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG