Forcat izraelite i kanë vrarë të paktën 15 palestinezë në Rripin e Gazës të mërkurën, përfshirë një punëtor shpëtimi, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Mjekët thanë se të paktën 12 njerëz u vranë nga një sulm izraelit ndaj një shtëpie në Xhabalia, në veri të Gazës, mëngjesin e së mërkurës. Ata thanë se rreth 10 njerëz janë zhdukur dhe se përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë.
Një burrë tjetër u vra nga sulmet e tankeve në afërsi, thanë ata.
Në Sabra në periferi të qytetit Gaza, emergjenca civile palestineze tha se një sulm izraelit e goditi njërin prej ekipeve të saj gjatë një operacioni shpëtimi, duke e vrarë një pjesëtar të stafit dhe duke i plagosur tre të tjerë.
Izraeli nuk i ka komentuar ende këto dy sulme.
Në Rafah, në jug të Rripit të Gazës, mjekët thanë se një burrë u vra dhe u plagosën disa njerëz të tjerë nga një sulm ajror izraelit në pjesën lindore të qytetit.
Banorët në Xhaballia, Beit Lahia dhe Beit Hanun, ku ushtria izraelite ka vepruar nga fillimi i muajit të kaluar, thanë se forcat izraelite rrënuan dhjetëra shtëpi në tri zonat, duke shtuar frikën se Izraeli po kërkon ta spastrojë këtë pjesë nga banorët për ta krijuar një zonë sigurie, diçka që Izraeli e mohon.
Izraeli ka thënë se i ka dërguar forca në dy qytetet dhe kampin e refugjatëve për t’i luftuar militantët e Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Synimi, sipas Izraelit, është frenimi i sulmeve të tyre dhe parandalimi i rigrupimit të tyre.
Ushtria izraelite th se i ka vrarë qindra prej tyre që nga 5 tetori.
Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik pretendojnë se i kanë vrarë shumë ushtarë izraelitë gjatë të njëjtës periudhë.
Hussam Abu Safiya, drejtori i Spitalit Kamal Adwan, një nga tre institucionet mjekësore që funksionojnë me vështirësi në veri të enklavës, tha se spitali u sulmua nga ushtria izraelite të martën.
Gjatë një vizite në Rripin e Gazës të martën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Hamasi nuk do ta qeverisë enklavën palestineze pasi lufta të ketë përfunduar dhe se Izraeli i ka shkatërruar aftësitë ushtarake të grupit islamik.
Katari, ndërmjetës kyç për armëpushimin së bashku me Egjiptin, tha se i ka njoftuar Hamasin dhe Izraelin se do të tërhiqet nga ndërmjetësimi nëse të dyja palët në luftë nuk tregojnë "vullnet dhe seriozitet" për ta arritur një marrëveshje.
Hamasi dëshiron një marrëveshje që i jep fund luftës, ndërsa Netanyahu ka premtuar se lufta mund të përfundojë vetëm pasi të jetë çrrënjosur Hamasi.
Lufta u shkaktua kur luftëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Prej atëherë, hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 44.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.